E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Lezhë: Do rikthejmë rritjen ekonomike në mirëqenie për xhepat e qytetarëve

Berisha në Lezhë: Do rikthejmë rritjen ekonomike në mirëqenie për xhepat e qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarë dhe mbështetës të PD-së në Lezhë, deklaroi se një qeverisje e ardhshme e demokratëve do ta përkthejë rritjen ekonomike në mirëqenie dhe të ardhura për qytetarët.

Berisha kritikoi qeverinë për politikat ndaj fermerëve, duke u ndalur veçanërisht te çmimi i naftës dhe heqja e subvencionimit për fermerët.

“Çfarë bëjnë këta deputetë? Votojnë çdo akt, çdo ligj pa pyetur se ekzistoni ju. Më falni, a u rrit nafta për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme? U rrit kudo. Çdo vend në botë, qeveria ndërhyri për të ulur naftën. Dhe ky pikërisht këtë vit u hoqi fshatarëve edhe atë subvencionim”, tha Berisha.

Sipas tij, kjo tregon mungesë ndjeshmërie ndaj problemeve të fermerëve.

“Me se do e punojë tokën ai? Me parmendë. Me krahë ose do e lërë djerrë. Një injorim total. Ne i japim fund kësaj”, u shpreh kryetari i PD-së.

Berisha premtoi se demokratët do të rikthejnë politikat sociale dhe ekonomike në funksion të qytetarëve, duke deklaruar se zhvillimi i vendit do të mbështetet te aftësitë dhe krijimtaria e shqiptarëve.

“Ne do rikthejmë me të gjithë forcën tonë rritjen ekonomike në mirëqenie për xhepat e qytetarëve. U garantoj se të gjithë zhvillimin e këtij vendi ne do ta bazojmë përsëri në aftësinë, në mendjen, gjeninë krijuese të qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

Sponsorizuar

Berisha deklaroi gjithashtu se barra shtetërore ndaj qytetarëve do të përgjysmohet, ndërsa sipërmarrësit, sipas tij, do të kenë konkurrencë të lirë dhe të ndershme.

“Fermerët e Lezhës do kenë të njëjtin subvencion që kanë fermerët e vendeve përreth”, tha Berisha, ndërsa përsëriti edhe premtimin për vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo qytetar.

Në takimin në Lezhë, Berisha deklaroi gjithashtu se “Ballkani i Hapur” do të anulohet gjatë javës së parë të një qeverisjeje të drejtuar nga PD-ja.

“Pra, një gjë u siguroj, që do ndahemi nga mjerimi dhe do i japim goditje vendimtare varfërisë”, u shpreh ai.

Berisha u bëri thirrje demokratëve të përgatiten për atë që e cilësoi si “misionin e madh të ripërtëritjes” së vendit, duke akuzuar qeverinë Rama për keqqeverisje dhe dëmtim të interesave të qytetarëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›