DITA 129/ Protestuesit para Kryeministrisë: Kjo qeveri është antikombëtare

Është mbyllur mbrëmjen e sotme protesta e 129-të radhazi kundër qeverisë, e zhvilluar para godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Protestuesit përsëritën thirrjet për dorëheqjen e menjëhershme të Kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar, ndërsa kërkuan nga SPAK nisjen e hetimeve ndaj kreut të qeverisë.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, nga ku qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë. Për rreth dy orë, protestuesit mbajtën fjalime duke shprehur revoltën e tyre ndaj korrupsionit të pretenduar në qeverisje dhe sistemin politik.
Gazetari Osman Stafa, gjatë fjalës së tij, e cilësoi qeverinë antikombëtare duke u ndalur te situata në sistemin shëndetësor dhe te shpenzimet për inceneratorët.
“Te Onkologjiku nuk ka ilaçe. Spitalet janë shembulli më i qartë sesa vlen jeta juaj. Gratë me kancer nuk trajtohen dot, se mungojnë pajisjet. Ata që nuk kanë para, do vdesin në Shqipëri. Kjo është alternativa që iu ka lënë qeveria shqiptare. Kanë premtuar se do sjellin PET-skanin, a thua se sëmundja pret”, tha Stafa.
Ai vijoi: “Çfarë bëjnë? 500 milionë euro janë harxhuar për inceneratorët dhe spitalet janë pa ilaçe. Kjo është protestë për dinjitetin e shqiptarëve.”
Në protestën e 129-të foli edhe aktivisti Edison Lika, i cili akuzoi qeverinë për lidhje me krimin dhe oligarkinë.
“Kjo qeveri është në pushtet prej krimit. Republika është pushtuar nga kriminelë ordinerë, që na e kanë bërë të pamundur që të jetojmë në Shqipëri”, tha Lika.
Sponsorizuar
Ai deklaroi se krimi dhe oligarkia kanë shtrirë ndikimin në të gjithë vendin.
“Ata na kanë zaptuar nga parkingu i lagjes dhe deri në bregdet. Ne e gjejmë oligarkinë kudo te rruga Thumanë-Kashar, kudo, kanë zaptuar çdo hapësirë të vendit, kemi qeveri që është vënë në shërbim të oligarkëve”, u shpreh aktivisti.
Lika kërkoi gjithashtu një revolucion për çlirimin e vendit nga njerëzit që e kanë marrë peng.
“Protesta është kundër çdo krimineli që ka futur duart në xhepat e shqiptarëve”, deklaroi ai.
Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit vijuan marshimin përgjatë zonës së “Tiranës së Re” dhe sheshit “Uillson”, për t’u rikthyer më pas përpara Kryeministrisë.
Në përfundim, pjesëmarrësit paralajmëruan se do të mblidhen sërish ditën e nesërme për protestën e 130-të radhazi.