E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Librazhd: S’do ndalemi, derisa ta bëjmë Shqipërinë Amerikë

23-05-2013 / Gazeta 55

Jehona e fitores së PD zhvendoset nga Lezha në Librazhd. Kryeministri Berisha deklaron se s’do ndalet në kursin e reformave drejt BE-së, duke e lënë Edi Ramën në vetminë e autobusit-mavi. Me inaugurimin e afërt të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, Tirana dhe Korça do jenë më pranë
Deklarata: “Do të bëjmë gjithçka për liberalizmin e vizave me Shtetet e Bashkuara”

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje kandidatin e PD për rrethin e Librazhdit, z.Eduart Selami. Përmes një mitingu madhështor dhe atmosfere entuziaste në sheshin qendror të qytetit, kryeministri Berisha i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shefi i qeverisë bëri një bilanc të punës dhe investimeve të qeverisë në këtë rreth në infrastrukturë dhe shërbime. “Vijmë në Librazhd me vendosmërinë më të madhe për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit të Librazhdit. Në këto pak vite në këtë rreth kemi investuar shumë e shumë km rrugë në katër anët e rrethit. Jemi të vendosur të ndërtojmë katër vitet që vinë çdo km rrugë në çdo fshat të këtij rrethi. Gjatë këtyre viteve kemi investuar në një seri shkollash, ndërtuar dhe rindërtuar mbi 20 shkolla, do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë të re, kemi ndërtuar dhe rindërtuar, qëndra shëndetësore, ujësjellsa e kanalizime, numri i bizneseve është dyfishuar, nga 400 biznese që kishte Librazhdi sot ka 1400 biznese. Katër vitet që vinë janë vitet  e infrastrukturës më moderne, e ujësjellësit të ri të Librazhdit dhe zonave përreth. Së shpejti inaugurohen punimet në gjithë gjatësinë e rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Rruga që të çon drejt parkut kombëtar është në ndërtim e sipër, do bëjmë gjithçka që pasuritë natyrore ti kthejmë në mirëqënie për qytetarët”- theksoi ai. Për kryeministrin Berisha shkolla , rruga dhe energjia janë kushtet më themelore për zhvillim. E në këtë kontekst, ai garantoi banorët e Librazhdit se oferta e PD edhe për mandatin tre vjeçar do vazhdojë t’i ketë në fokus. Berisha paralajmëroi edhe investime të rëndësishme në këtë rreth, kryesisht në ndërtimin e HEC-ve, qe sipas Berishës i hap rrugë krijimit të 4000 vendeve të reja të punës në këtë zonë. Kreu i qeverisë iu referua edhe deklaratave të kreut të PS, Edi Rama se qeveria është investuar e tëra në infrastrukturë. “Ju e dëgjuat vetë zotin Rama, kur në një bisedë me qytetarët e Tiranës do t’u thoshte atyre, tek më adresohej mua, se po t’i kërkosh punë të thotë rrugë, po t’i kërkosh shkollë të thotë rrugë, po t’i kërkosh ujësjellës të thotë rrugë. I nderuar zotëri, i ke nervat e lodhura. Dhe i ke të lodhura shumë nga rrugët që t’i ecën. Por, meqenëse e shtrove këtë problem dhe në këtë mënyrë, po të përgjigjem këtu, para këtyre qytetareve: puna dhe punësimi janë qëllimet e mia më madhore dhe fakti që në këtë rreth, bizneset janë rritur nga 700 në 1420 dëshmon se ne kemi nxitur, inkurajuar biznesin dhe zhvillimin e tij. Para se të flasësh në atë mënyrë, të ftoj zoti Rama, të ngjitesh me atë autobusin tënd mavi deri në Çermenikë. Atje sipër, zoti Rama, do të gjesh një lokal të madh, – ndonëse tanë mund të jenë disa – ku qytetarët e Librazhdit festojnë dhe bëjnë dasma si vend panoramik që është. Pronari i tij do të thotë: unë e bëra investimin, se këtu erdhi rruga. Pronari i hidrocentralit në lumin Luma, por edhe të Beles, Orgjostit, do të thotë se i ndërtuan hidrocentralet, se ne bëmë rrugën. Rruga është shpresa e qytetarëve tanë. Rruga është kushti për të mos përjashtuar rajone të tëra të vendit tënd dhe ne do të ndërtojmë çdo kilometër rrugë. Por, meqenëse u shpreh se po të kërkojë shkolla, i përmend rrugën, qytetarë të Librazhdit, ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla në mbarë Shqipërinë dhe do të rindërtojmë çdo shkollë anekënd këtij vendi”- u shpreh Berisha. Ai theksoi se Edi Rama e sheh me po të njëjtën politikë bllokimi, si integrimin në BE, edhe liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Tani që kemi deklaruar se do të bëjmë gjithçka për liberalizmin e vizave me Shtetet e Bashkuara, dje deklaroi se të gjithë do të shkojnë në Amerikë. Jo zotëri, do të shkojnë për vizitë, do ta bëjmë Shqipërinë Amerikë! Sot, edhe një herë thirrja ime është të bashkohemi për Shqipërinë e zhvilluar, për Shqipërinë europiane, të bashkohemi për punësimin, për mirëqenie, për integrim”- tha Berisha. Gjithashtu, ai komentoi edhe deklaratat e kreut të opozitës i cili e shpalli Shqipërinë karrocë të invalidit. “Nderimin e respektin më të madh për invalidët tanë, përpjekja jonë e madhe për integrimin e tyre, por Shqipëria sot është anëtare e NATO, ajo meriton statusin e vendit kandidat, do ta marrë statusin dhe do të ecë e sigurt drejt Bashkimit Europian. Ti rri në autobus me xhama të zi. Ne do të ecim përpara për punësimin më të madh, përpara drejt mirëqenies, përpara drejt Europës. Të bashkohemi pavarësisht nga bindjet, për një Shqipëri të zhvilluar, për një Librazhd të zhvilluar, për një Shqipëri europiane, për një Librazhd europian” - theksoi ndër të tjera Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›