E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Maminas, shkulen flamujt e PS-së

Incidente në prag të vizitës së Berishës në Durrës


DURRËS - Në prag të vizitës së kryeministrit Sali Berisha në Manzë janë dhunuar flamujt dhe një qendër elektorale e PS-së në këtë qytezë. Flamujt elektoralë të PS-së janë hequr nga shtyllat ku ishin vendosur, në të gjithë segmentin e rrugës Maminas - Manëz.


Përveç rrugës se pastruar nga këta flamuj, është dëmtuar edhe një qendër elektorale e PS-së te vendi i njohur si "Katër Rrugët" e Manzës, duke shkulur plotësisht edhe bazamentet e vendosjes së tyre në hyrje të zyrës elektorale.


Ky fakt është denoncuar dje përmes një deklarate zyrtare nga ana e PS-së së Durrësit. Ndërkohë, i njëjti revansh ndaj posterave është vënë re edhe brenda në qytetin e Durrësit.


Gjatë paradites së të martës është konstatuar se te stacioni i trenit në qytet, pikërisht në zonën ku nisen autobusët në drejtim të Tiranës, është dëmtuar posteri i madh i liderit socialist, Edi Rama. Persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhamin dhe më pas kanë hequr posterin nga njëra anë e pjesës reklamuese, duke e dëmtuar atë.


Nuk ka ende asnjë të dhënë për dëmtuesit, por dyshohet se e gjithë kjo mund të jetë bërë gjatë natës, kur autorët kanë përfituar nga errësira. Kjo është hera e dytë, që në këtë zonë të Durrësit dëmtohet posteri i kreut të Partisë Socialiste.


Nga tre postera të vënë më parë, tanimë ka mbetur vetëm njëri. Vetëm një javë më parë, në afërsi të stacionit të trenit, një tjetër poster i Ramës u shkatërrua plotësisht.
M.Brunga

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›