E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasje me thika te "Ali Demi", 3 të plagosur

Dy vëllezër dhe një person tjetër morën plagë të rënda nga persona të panjohur


TIRANË - Tre persona mbetën të plagosur rëndë dje gjatë orëve të mbrëmjes, pas një përplasjeje midis dy grupeve të rinjsh, që ka degjeneruar në përdorimin e thikave. Dy vëllezërit Taulant dhe Klodian Allmuça, përkatësisht 24 dhe 29 vjeç, si dhe shoku i tyre Fatjon Çela, 26 vjeç, mbetën të plagosur të dielën në mbrëmje rreth orës 19:00, në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet për motive banale.


Autorët, sipas burimeve të policisë, kanë qëlluar me sende të mprehta ndaj tyre duke i lënë të plagosur rëndë. Policia tha se krimi ishte kryer nga persona ende të paidentifikuar nga ana e saj ndërsa ishin ngritur dyshime mbi disa persona të cilët besohet se ishihn përfshirë në konflikt.


Pas ngjarjes, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimet ndërsa të dëmtuarit janë dërguar në spitalin civil për t'iu dhënë ndihmën e nevojshme.


Deri dje në mbrëmje vonë, të dëmtuari ndodheshin në gjendje të rëndë, për shkak se kishin marrë plagë të rënda dhe gjendja e tyre, sipas burimeve të policisë, ishte në rrezik. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në një lokal në lagjen juglindore të kryeqytetit ku ndodheshin dy vëllezërit, Allmuça.


Bashkë me ta besohet se ka qenë edhe i plagosuri tjetër Fation Çela, ndërsa mes tyre dhe një grupi tjetër ka nisur një konflikt, i cili ka përfunduar me plagosjen e të tre personave.


Efektivë të komisariatit nr.1, janë nisur me urgjencë në drejtim të vendit të ngjarjes pas marrjes së informacionit, ndërsa kanë nisur hetimin për zbardhjen e ngjarjes.


Fillimisht, janë bllokuar dëshmitarët e mundshëm, ndërsa më pas janë shoqëruar edhe persona të tjerë. Sipas të dhënave, plagosja e tre personave ka ardhur pas një sherri, midis këtyre tre të fundit dhe autorëve të sulmit, të cilët nuk janë identifikuar nga Policia.


Nuk ka qenë një person i vetëm që ka plagosur tre personat me thikë, por disa të rinj, të cilët janë përleshur me të dëmtuarit , duke i lënë të plagosur. Tre të plagosurit janë dërguar për të marrë ndihmën mjekësore në spitalin civil dhe atë ushtarak, ndërsa mësohet se gjendja e tyre është e rëndë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›