Berisha në Vlorë: Rama, njësoj si Enveri. Prezantoi Kujtimet e Vegjëlisë
Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sërish nga Vlora kryesocialistin Edi Rama, sidomos për dokumentarin e tij të prezantuar ditën e djeshme. Sipas Berishës, Rama prezantoi në Vlorë Kujtimet e Vegjëlisë të diktatorit Enver Hoxha. Bashkë me Ramën, ai ka akuzuar edhe Koço Kokëdhimën.
Vlora e di mirë historinë e dajave të tij. Rama prezantoi në Vlorë fëmijërinë e tij dhe i ofendoi vlonjatët se janë të izoluar. Si janë të izoluar vlonjatët kur ata udhëtojnë në rrugë moderne. Ata që e ndjejnë veten të izoluar të mos e votojnë Sali Berishën. Mund të thuash që ka njerëz të varfër, por jo që janë të izoluar. Vlora nuk ka nevojë për kujtimet e Ramës apo të Berishës, ka nevojë për shkolla, rrugë, turizëm. Ramën këtu e solli Koçoja, sepse ai është menaxheri dhe truri ekonomik i tij. Lidhjet e tyre me njëri- tjetrin kanë kufi vetëm qiellin. A e patë ju mënyrën se si e paraqiti Koçon në konventë. Shpëtimi është lule nga çfarë është Koçoja tha Berisha gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët.
Berisha ndërkohë ka vlerësuar lart figurën e Arben Malajt.
Arben Malaj ka qënë konstant në qëndrimet e tij për procesin e integrimit dhe ka bërë thirrje për miratimin e 3 ligjeve. Malaj u largua nga PS-ja sepse do integrimin evropian. Por Malaj nuk është një aleat, prandaj u bëj thirrje mbështetësve që të mos hedhin asnjë votë për të. Zero vota për Arben Malajn tha Berisha.
Ai ka thënë se investimet e qeverisë në Vlorë kanë qenë të pamasa, ndërkohë që premtoi hapjen e 250 mijë vende pune gjatë mandatit të ardhshëm, nëse PD fiton./b.l