E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha në krah të SPAK e GJKKO: Protesta në mbështetje të Veliajt, sulm ndaj institucioneve të drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha doli në mbrojtje të Gjykatës së Posaçme dhe SPAK-ut duke akuzuar Policinë e Shtetit se shkeli ligjin në 12 shkurt, pasi nuk mori masa për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë tubimit të  zhvilluar ditën që Gjykata konfirmoi masën e sigurisë burg pa afat për kryebashkiakun e  Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë një konference me gazetarët Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të bëjë kallëzim penal për këtë ngjarje ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Protestë e organizuar, e lajmëruar nga Edi Rama dhe qeveria e tij, nga rrogëtarë të shtetit dhe policë me dhe pa armë, rrethuan për orë të tëra gjykatën speciale dhe prokurorinë speciale. Një sulm i tillë dëshmon jo vetëm dështimin e plotë dhe total, por shkallën e jashtëzakonshme të kriminalizimit të drejtuesve të narkoshtetit shqiptar”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se në rast të zhvillimit të një tubimi tjetër nga Partia Socialiste para SPAK-ut, Partia Demokratike do të zhvillojë protestë para shtëpisë së kryeministrit në zonën e Surrelit në Tiranë.

“Unë i jap ultimatum Edi Ramës, mos guxo të organizosh protestë tjetër se opozita do të përgjigjet me një kundërprotestë që ti nuk mund ta imagjinosh. Mos guxo, mbaje mend këtë.  Po vazhdove , popullin do e kesh ne Surrel”, tha Berisha.

Por edhe vetë Berisha ka thirrur mbështetësit e tij të mblidhen para SPAK-ut sa herë ai është paraqitur aty.

“Nuk kemi thirrur protesta ne, ato kane qene konferenca shtypi e do jenë konferenca shtypi. Dhe nuk ka pasur akt dhune dhe nuk janë forme presioni”, tha kreu i PD.

Në të gjitha rastet që mbështetësit e Partisë Demokratike janë mbledhur para SPAK-ut për të mbështetur Sali Berishën apo në rastet kur Partia e Lirisë ka protestuar para SPAK-ut, e gjithë godina e Prokurorisë se Posaçme është rrethuar nga forcat e Policisë së Shtetit të cilët kanë krijuar një perimetër sigurie përgjatë gjithë kohës që kanë zgjatur tubimet./vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›