Berisha në zyrën e Nishanit, asnjë detaj nga takimi
Kryeministri Sali Berisha ka ngjitur shkallët e Presidencës për të zhvilluar një takim për më shumë se 40 minuta, mesditën e së enjtes me Presidentin e Republikës Bujar Nishani.
Ky është takimi i parë i filmuar nga kamera e Top Channel, e Kryeministrit në Presidencë pas një kohe të gjatë marrëdhëniesh të akullta mes zotit Berisha dhe ish presidentit Topi. Mbetet enigmë se çfarë ka biseduar Kryeministri me Presidentin Nishani pasi për aq kohë sa zyrat e shtypit respektive të Kryeministrit dhe Presidencës, të kontaktuar nga Top Channel, nuk pranuan të japin detaje rreth takimit.
Ky takim është zhvilluar në një kohë kur mbeten pezull disa zëvendësime siç është ai vendit vakant që lë Adriatik Llalla në Inspektoratin e Lartë të Kontrollit të Pasurive, sikurse edhe zgjedhja të premten e trupës prej 8 anëtarësh të Kolegjit të ri Zgjedhor nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kryetar i të cilit është presidenti Nishani.
Mësohet se nga koha që Bujar Nishani u zgjodh kreu i shtetit, Kryeministri Berisha ka zhvilluar në Presidencë edhe disa takime të tjera me kreun e shtetit, por të paraportuara në media të cilat janë përshkruar nga stafet e tyre, si në vazhdën e bashkëpunimit institucional.
Sakaq bashkëpunëtorë të ish-presidentëve Alfred Moisiu dhe Bamir Topi tregojnë se në të gjitha rastet, kur këta dy ish-presidentë zhvillonin takime me Kryeministrin, për hir të transparencës, njoftimet vendoseshin në faqe zyrtare të Presidencës ku thuhej se bashkëbisedimi ishte për çështje pune dhe jo detyrimisht të jepeshin detaje të hollësishme për temat e prekura.
