E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidington: Do të ndjekim me vëmendje zgjedhjet

Miratimi në një kohë sa më të shpejtë i ligjeve të mbetura, për ministrin për Evropën të Britanisë së Madhe, David Lidington do të krijonte  kushtet për një qëndrim pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE-së për dhënien e statusit të vendit kandidat. Deklarata është bërë gjatë një takimi që Lidington ka patur me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti.

Lidington ka përshëndetur progresin e shënuar nga Shqipëria në drejtim të plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, ndërsa ka theksuar se  Britania do të ndjekë me vëmendje organizimin vitin e ardhshëm të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat, sipas tij,  duhet të respektojnë standardet më të mira demokratike.

Nga ana e tij, ministri Panariti theksoi se njohja nga Këshilli i Ministrave të BE-së, të zhvillimeve pozitive që janë shënuar në Shqipëri, nëpërmjet dhënies së statusit të vendit kandidat në BE, do të ishte një inkurajim i fuqishëm për vazhdimin e progresit të reformave me synimin që vendi të jetë i gatshëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në të ardhmen e afërt.

Për Panaritin, frenimi i perspektivës evropiane të Ballkanit Perendimor do të nxiste tendencat ekstremiste dhe nacionaliste, të cilat do të cenonin stabilitetin dhe marrëdhëniet e fqinjësisë të mirë në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›