Berisha nënshkruan me Haradinajn një memorandum bashkëpunimi, skicohet me marrëveshje, bashkëpunimi PDSH-AAK

Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha priti në një takim një delegacion të lartë të Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të kryesuar nga Kryetari i saj dhe ish-Kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj.
Z. Haradinaj falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen dhe e përgëzoi përzemërsisht për fitoren në zgjedhjet e fundit duke i uruar njëkohësisht suksese në mandatin e ri qeverisës. Ish-Kryeminstri i Kosovës shprehu vullnetin që lidhjet midis dy vendeve të konsolidohen ashtu siç shprehu dhe deshirën e tij që kontaktet mes dy partive politike të njihnin një hap të mëtejshëm.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha falenderoi z. Haradinaj për urimet dhe shprehu bindjen se Kosova është në rrugë të mbarë në procesin e njohjes së pavarësisë. Kryeministri u shpreh se ajo që ndodhi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës ishte diçka e mrekullueshme dhe e paimagjinueshme, dhe theksoi sakrificën dhe kontributin e madh të popullit të Kosovës, por dhe të zotit Haradinaj në këtë drejtim. Në këtë kontekst, u shpreh Kryeministri Berisha është e rëndësishme që shqiptarët të kenë një sens realist për kombin dhe se duhet punuar në drejtim të afrimit të njerëzve të të dy vendeve, duke sfiduar përpjekjet që mbajnë larg shqiptarët nga njeri- tjetri. Kryeministri vuri theksin tek bashkëpunimi në fushën e arsimit, turizmit, kulturës etj.
Po sot, z. Berisha dhe z. Haradinaj nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ky Memorandum synon zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy partive politike, duke u bazuar në përcaktime programore të përbashkëta, të orientimit politik të qëndrës së djathtë për zhvillimin e demokracisë, ekonomisë së tregut të lirë, afirmimin e vlerave kombëtare dhe integrimin euro-atlantik.
Në përfundim të takimit, Kryeministri Berisha shprehu kenaqësinë dhe gadishmërinë për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me çdo parti politike në Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë.