E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha nga Brukseli: PPE mbështet fuqishëm PD-në, Shqipëria, peng i korrupsionit të Edi Ramës

Në një prononcim nga Brukseli, ku merr pjesë me rastin e 50-vjetorit të themelimit të Partive Popullore Europiane, kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur se, PD ka lidhje të shkëlqyera me “grupimin që ndërtoi Evropën e pasluftës”

“Sot, grupimi më i madh politik i Evropës, grupim politik që ndërtoi Evropën e pasluftës me kontributin më kryesor, mblidhet në 50-vjetorin e themelimit të PPE. PD është anëtare tre vite pas themelimit të saj, sot është anëtare e asociuar, sepse anëtarësia e plotë këtu përcaktohet nga anëtarësia e vendit në Bashkimin Evropian. Por ka lidhje të shkëlqyera, lidhje të ngushta. Para dy javësh, një mision i gjerë me përfaqësues të 30 partive politike ishte në Tiranë në mbështetje të PD. Sot festohet në një ceremoni 50-vjetori me rezultate të shkëlqyera.

Nesër është samiti i zgjeruar në të cilin marrin pjesë të gjithë kryetarët e shteteve, kryeministrat e partive të qendrës së djathtë dhe kryetarët e partive opozitare të vendeve anëtare dhe të vendeve të asociuara të ftuara në këtë samit.
Samiti është një ngjarje shumë e rëndësishme që përcakton qëllimet e përbashkëta të PPE për çështjet madhore të kohës”, shprehet Berisha.

Cili është raporti i PD me Partitë Popullore Evropiane, por jo vetëm, edhe me Brukselin?

“Raporti i PD me Partinë Popullore është i shkëlqyer. Janë disa rezoluta që kanë shprehur mbështetjen e plotë për PD dhe dënimin e hapur të farsës elektorale dhe të regjimit të Edi Ramës. PPE mbështet plotësisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por një proces të bazuar në meritë, siç është edhe kërkesa jona”.

Më tej, kreu i PD-së është shprehur se, integrimi i Shqipërisë në BE është stopuar për shkak të dosjeve të tmerrshme të korrupsionit.

“Në qoftë se dje u votua me unanimitet Mali i Zi, Shqipëria mbeti në klasë dhe është në labirintet në të cilat e futi Edi Rama për shkak të dosjeve të tij të tmerrshme me korrupsionin. Pra, Shqipëria është peng i korrupsionit të Edi Ramës“, është shprehur Berisha.

Në fund, edhe një thirrje për kryeministrin nga Brukseli:

“Mendoj se Edi Rama nuk dëgjon më thirrje nga Brukseli, por nga disa prej vendeve më të prapambetura të Afrikës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›