DOSJA E SPAK/ Sokol Meqemeja i “Frigo Food”, “maskë” për pasurinë e Ahmetajt?

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe dërgoi ditën e sotme pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr 277/1 të vitit 2022, në ngarkim të 11 të pandehurve, mes tyre edhe ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
Të pandehurit e tjerë:
Albina Mançka,
Erjola Hoxha,
Mirel Mërtiri,
Klodian Zoto,
Andi Boni,
Elda Dinaj,
Gerian Kuka,
Helidon Begaj,
Sonila Goxhaj
Sokol Meqemeja
Sokol Meqemeja rezulton aksioner në të paktën 10 kompani, ndërsa SPAK thotë se ai, Sonila Goxhaj dhe njëra nga kompanitë e tij “Frigo Food”, është përdorur si maskë për shitjen e një apartamenti dhe 1 garazhi nga Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj.
“Fshehja e pasurisë dhe deklarimit të rremë, të shumës prej 140 000 euro, në vitin 2018, duke u mbuluar natyra e vërtetë e burimit dhe duke u paraqitur si pagesë e bërë shtetasve Albina Mançka dhe Arben Ahmetaj, përkundrejt një “shitjeje” ndaj shtetases Sonila Goxhaj, të 1 apartamenti me sipërfaqe 178.68 m2 dhe 1 garazhdi me sipërfaqe 21 m2, ndodhur në vendin e quajtur “Selitë”, në pallatin ndërtuar nga shoqëria “Sheron”.
Kjo vlerë është paguar në mënyrë të tërthortë nga shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, nëpërmjet shtetasve Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe shoqërisë “Frigo Food” që administrohet nga Meqemeja’’, thuhet në dosjen e SPAK.
LEXO EDHE: EMRAT E TË PËRFSHIRËVE/ Dosja shkon në gjykatë, ja 9 akuzat që rëndojnë mbi Arben Ahmetajn
Meqemeja nuk është një emër i panjohur për publikun dhe organet ligjzbatuese.
Në korrik 2025, Policia zbuloi se një TEC për prodhim energjie me gaz po ndërtohej pa lejen e autoriteteve në një pronë publike në Delvinë në një territor rreth 2 mijë metra katrorë nga “Delvina Gas”, kompania e biznesmenit Meqemeja, ku më herët kishte ngritur një impiant për përpunimin e gazit natyror.
Sokol Meqemeja, 56 vjeç, u shpall në kërkim bashkë me administratorin e kompanisë së gazit Juglerd Ibrahimi 36 vjeç, të dyshuar për veprat penale “ndërtim i paligjshëm” dhe “pushtim i tokës”.
Dy inxhinierë u arrestuan, Elton Malkaj 31 vjeç, përgjegjës i impiantit të gazit dhe Luan Metaj 53 vjeç, përgjegjës i kantierit të ndërtimit, të dy të akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”.
Kompania ‘Delvina Gas’ ka për pronar biznesmenin Sokol Meqemeja, i cili u shpall në kërkim, kurse administrator Juglerd Ibrahimin, gjithashtu i shpallur në kërkim asokohe.
Në formën ligjore të saj, sipas ekstraktit të QKB-së dhe ‘OpenCorporates.al’, ajo është degë e shoqërive të huaja, sipas ligjeve të Ishujve Virxhin.
Objekt kryesor ka aktivitetin në fushën e gazit, me zyra në Tiranë te ‘Dy Kullat’ dhe në Vlorë e Delvinë, te fusha e gazit.
Sokol Meqemeja e ka nisur biznesin me industrinë ushqimore. Në 1999, themeloi “Frigo Food” sh.p.k., kompani që në pak vite u shndërrua në një ndër importuesit më të mëdhenj të mishit dhe nënprodukteve në Shqipëri.
Ai siguroi ekskluzivitetin për sallamet “Wudy”, ndërtoi një rrjet të fortë shitjeje dhe krijoi një kapital të konsiderueshëm, i cili do të shërbente si trampolinë për zgjerimin e tij në sektorë të tjerë.
Në shtator 2022, kur AKU konfirmoi praninë e bakterit Listeria në disa lote të “Wudy”, Meqemeja reagoi me arrogancë: konsumoi sallamin para kamerave, duke përdorur një stil teatral dhe sfidues që e karakterizon në menaxhimin e krizave. Një njeri që nuk njeh kufij kur vjen puna te imazhi publik dhe sfidimi i institucioneve.
