E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha nga Himara: Rikthimi dhe kompensimi i pronës do jenë përparësi absolute

Në takimin elektoral nga Himara, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar se paprekshmëria e pronës, rikthimi dhe kompensimi i saj, pajisja me dokumente, do jenë përparësi absolute me ardhjen e tij në pushtet.

“PD dhe aleanca e saj janë një aleancë konservatore, e cila ka në themel të saj vlerat tradicionale të njeriut, dinjitetin njerëzor, liritë e tij, pronën, besimin tek Zoti, atdhetarinë. Ne besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.

Mund të ndërtojmë Himarën e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj. Shqipërinë e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj. Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe tek arrestimi i Fredi Belerit, ku sipas tij, drejtësia u përdor për t’i marrë atij mandatin.

“Dhe ta marrë vesh Edi Rama se pushtimeve, askush nuk i ka dhënë përgjigje më të merituar se Himara dhe Himara ia dha Edi Ramës atë përgjigje që meritonte. Atë përgjigje ia dha me Fredi Belerin. Miqtë e mi, Donald Trump në fushatën e tij elektorale u tha amerikanëve se një rrezik më i madh për amerikanët se sa fuqia e Kinës apo Rusisë është armiku i brendshëm. Çfarë ishte ky armik i brendshëm? Ky armik i brendshëm në SHBA dhe në Shqipëri ishte armiku që përdorte drejtësinë për të marrë mandatet e të zgjedhurve tuaj, pasi nuk i mundnin dot në fushë betejë, pasi bënin gjithçka që ju të mos e votonit. Por ju e votuat dhe atëherë përdori si burracak drejtësinë e tij për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin. Bëri një kurth të vjetër të shpifur nga ato që Himara i mban mend shumë mirë se i kurdiste Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për t’i grabitur mandatin”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›