Berisha-opozitës: Ju po trilloni për buxhetin
Kryeministri Berisha ka akuzuar deputetët e Partisë Socialiste se po dezinformojnë opinionin publik lidhur me projektbuxhetin e vitit 2012. Duke reaguar ndaj deputetëve të PS-së në Kuvend të cilët e cilësuan buxhetin 2012 si gënjeshtër, kreu i qeverisë theksoi se buxheti ka në parim rritjen ekonomike.
“Po thoni gënjeshtra. Po trilloni për buxhetin. Buxheti ka një parim për rritjen ekonomike. Ju thoni të kundërta dhe të pavërtetat më të mëdha për buxhetin” iu është drejtuar kryeministri deputetëve socialistë.
Duke iu referuar deklaratave të opozitës se fondet për pushtetin vendor është i pamjaftueshëm, kryeministri Berisha theksoi se këtë vit fondet për vendorët janë 5 herë më shumë se në qeverisjen socialiste
“Sot me fondin e rajoneve janë së paku 35 miliard lekë janë së paku 5 herë më shumë çfarë ju dhatë ju me pikatore qeverive vendore. Qeveritë vendore kanë taksën e plotë të biznesit të vogël” ka shtuar Berisha.
Berisha ka reaguar edhe për deklaratën e deputetit Ben Blushi i cili theksoi se pamja e re e sheshit, ka lënë në hije monumentin e Skënderbeut duke shtuar se tashmë sheshi nga piramidë që ka qënë kur në krye të bashkisë ka qënë lideri socialist është kthyer në gjelbërimin e qytetit.