Berisha, opozitës: Mos i servirni Shkodrës dokrra
Kryeministri, në mbledhje qeverie: Digat u menaxhuan me përkushtim
Situata emergjente që po vijon prej ditësh në zonën e Shkodrës, bëri që mbledhja e radhës e qeverisë, e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha të spostohej në qytetin verior. Të mbledhur në sallën e bashkisë së qytetit, ministrat nën drejtimin e Berishës, përcollën mesazhet e ndihmës dhe solidaritetit me banorët e zonave të përmbytura dhe parashtruan masat që do të merren për të kapërcyer këtë situatë emergjente. Pas përfundimit të mbledhjes së parë të qeverisë, të zhvilluar jashtë kryeqytetit, Berisha gjeti rastin të takonte banorë të Shkodrës dhe të dëgjonte nga afër problemet e tyre për situatën e krijuar. Po kështu, ai inspektoi në terren edhe punimet për thellimin e shtatit të lumit Buna. Po dje, kreu i qeverisë vizitoi dhe aeroportin e Gjadrit të Lezhës, nga ku shpërndahen ndihmat për banorët e zonave të përmbytura.
Mbledhja
Kryeministri Berisha kërkoi nga ministrat e kabinetit, hartimin në kohën më të shkurtër të mundshme të planeve dhe projekteve për rehabilitimin për kthimin në normalitet të të gjithave zonave të përmbytura. Sipas Berishës, ndonëse më e keqja kaloi, situata vazhdon të mbetet ende e vështirë për ata mijëra qytetarë të cilët i kanë shtëpitë e tyre të mbuluara nga uji. “Sot është një ditë e kthjellët, plot diell, por nuk duhet të harrojmë se janë qindra e qindra qytetarë të rrethuar me ujë dhe asgjë nuk ka më të rëndësishme dhe jetike se ky operacion i shpëtimit dhe i ndihmës”, deklaroi Berisha, duke siguruar se operacionet do të vazhdojnë intensivisht. Kreu i qeverisë nuk nguroi ta konsiderojë si operacionin më të madh të ndihmës zhvilluar në vend. Në fjalën e tij, Berisha falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë punonjësit e Ministrisë së Energjetikës, të cilët u morën në mënyrë të drejtpërdrejtë me problemet që krijuan ujërat e tepërta të derdhura në kaskada. “Ata që menaxhuan digat e portat i menaxhuan me përkushtimin më të madh, i menaxhuan në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendore, i menaxhuan duke bërë maksimumin për t’u përshtatur me kërkesat e tyre”, theksoi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë deklaroi se janë dokrra të gjitha akuzat e ardhura për qeverinë, sipas të cilave, uji u rezervua për t’u shitur me çmim më të shtrenjtë në janar. “U them dhe një herë mos i servirni Shkodrës dokrra se prej saj do të keni vetëm një përgjigje: “sherr budall”. As simitet e tyre nuk i ha Shkodra. I pamë një ditë që kishin mbushur një çantë me simite dhe i shpërndanin, por qytetarët nuk i merrnin”, theksoi Berisha, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës.
Dëmshpërblimi
Gjatë takimeve të zhvilluara dje në zonat e përmbytura, kreu i qeverisë u premtoi qytetarëve dëmshpërblim deri në qindarkën e fundit. “Dua t’ju garantoj se çdo dëmtim, i krijuar nga ujërat, duke filluar nga lodrat e këtyre vogëlushëve, tek librat, orenditë dhe çdo gjë tjetër, deri tek të mbjellat dhe gjithçka që ju ka ndodhur, qeveria do ta kompensojë”, premtoi Kryeministri, gjatë takimit me banorët e zonave të përmbytura. Ai deklaroi se ishte për t’u përshëndetur mënyra se si shkodranët kishin qëndruar gjakftohtë në një situatë të tillë. “Qytetarët e Shkodrës dhe të rrethit kanë dëshmuar një trimëri dhe kurajë të jashtëzakonshme, një fisnikëri të pashembullt, një bashkëpunim të shkëlqyer”, tha Berisha. Sipas tij, qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta kthyer zonën në normalitet, në një kohë rekord. Po kështu, Berisha u bëri thirrje banorëve të zonave që të kërkojnë ndihmë për çfarë problemi të hasin në këto ditë të vështira.
#