E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Sulmet e Ramës kundër Priftit, obsesion personal

Deklarata
Zëvendëskryeministri merr në mbrojtje bashkëpunëtorin e tij. “Përmbytjet, fatkeqësi natyrore”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim komentoi dje për herë të parë sulmet e Partisë Socialiste në adresë të ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti. Meta u shpreh se deklaratat karshi tij janë një obsesion personal i Ramës. “Për akuzat e z. Rama ndaj ministrit të Ekonomisë dhe të Energjetikës, z. Prifti, të jeni të sigurt ju, se edhe sikur të mos ishte fare në qeveri z. Prifti, ata prapë do kërkonin largimin e z. Prifti. Ai ka obsesion personal, janë arsyet e tyre, por në politikë nuk ecet me opsesione personale. Mendoj se opozita, pa asnjë diskutim, duhet të japë kontributin e saj konstruktiv, së dyti të japë mbështetje për ekspertët, për specialistët që të zbatojnë detyrat e tyre, ashtu sikurse mendoj që është e rëndësishme që këto fenomene ne t’i përballojmë me politika më afatgjata në të ardhmen”, theksoi Meta. Më tej, ai vlerësoi punën e qeverisë në lidhje me menaxhimin e situatës, po aq sa edhe punën e ministrit Prifti në gjithë këtë situatë. Ndërkohë që edhe në rolin e numrit dy të qeverisë shqiptare, Meta tha se situata e përmbytjeve në Shkodër është krijuar për shkaqe natyrore. “Nuk është një vlerësim thjesht yni, tashmë është një vlerësim edhe i institucioneve të njohura ndërkombëtare, që studiojnë kushtet klimaterike, që ky fenomen që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe në Shqipërinë e Veriut, pra i një intensiteti të jashtëzakonshëm të reshjeve të shiut dhe të dëborës dhe i kombinuar në një kohë shumë të shkurtër me kalimin nga temperatura të ftohta në temperatura shumë të ngrohta, që kanë sjellë një shkrirje të shpejtë të dëborës të grumbulluar në këtë hapësirë është një fenomen që ndodh një herë në 100 vjet”, nënvizoi Meta. Numri dy i qeverisë shprehu bindjen se menaxhimi i kaskadës së Drinit, është bërë në mënyrën më korrekte dhe profesionale bazuar në ligjin dhe rregulloren për mbi të cilat funksionon menaxhimi i këtyre hidrocentraleve dhe i kaskadës dhe i sistemit tonë energjetik në përgjithësi. “Absolutisht që kjo është një fatkeqësi natyrore, çdo përpjekje për të instrumentalizuar një fatkeqësi të tillë për qëllim politik, absolutisht që shton keqardhjen kur është koha që të gjithë të japin kontributin e tyre për të menaxhuar këtë situatë sa më mirë”, vlerësoi Meta.Sakaq, i pyetur nga mediat, ai informoi edhe në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave. “Absolutisht që progresi është i jashtëzakonshëm gjatë muajve të fundit në të gjitha blloqet, pra në katër blloqet e këtij udhërrëfyesi”, tha ai. Kreu i diplomacisë shqiptare sqaroi se ka disa elementë që janë në proces, sikurse është ligji kundër diskriminimit, është në procedura zyrtare të Parlamentit dhe do të miratohet në javët e ardhshme, apo dhe disa detyrime të tjera, por ne jemi të bindur që brenda këtij vitit, Shqipëria i plotëson të gjitha këto detyrime dhe shqiptarët do ta meritojnë të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e hapësirës “Shengen”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›