E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha paraqitet në SPAK: Dumani amnistoi krimin elektoral

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Berisha u paraqit në dyert e SPAK rreth orës 10:00, ndërsa pasi la ambientet e Prokurorisë së Posaçme foli për mediet ku akuzoi kreun e SPAK, Altin Dumani se ka amnistuar krimin elektoral.

“Krimi i tij antikushtetues, amnistia e krimit elektoral, përbën atentat në themel të rendit demokratik dhe pluralizmit dhe është faktor madhor në instalimin e narkoshtetit”, tha Berisha ndër të tjera.

Në vijim të fjalës së tij para gazetarëve, Berisha akuzoi edhe gjyqtaren e GJKKO, Irena Gjokën, e cila është gjyqtarja paraprake e dosjes për të cilën akuzohet.

“Irena Gjoka, është personifikimi më autentik i narkoshtetit shqiptar dhe funksionimit të sistemit juridik të tij”, tha Berisha.

Berisha tha se hetimi paraprak ndaj Irena Gjokës është forma më korruptive e hetimit

“Me 7 maj 2025, Altin Troplini deklaron fillimin e hetimit pa emër, paraprak. Këtu do ndalemi. Hetimi paraprak është forma më korruptive e hetimit, e aplikuar nga Altin Troplini në rastin e Irena Gjokës, në rastin e McGonigal, në rastin e Amant Josifit dhe në të gjitha rastet ku ai pret gjoba të mëdha ose zbaton urdhra eprorë”, u shpreh Berisha.

“Me datën 8 maj 2025, i kërkojmë KLGJ-së shpalljen e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës, pasi në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, ajo nuk mund të ishte më kurrë gjykatëse në sistemin e drejtësisë në Shqipëri”, vijoi ai.

“Në maj-qershor 2025, ndonëse ligji e detyron KLGJ-në të vendosë për 15 ditë për mbarimin e mandatit, fillon loja e kungulleshkave. KLGJ i kërkon prokurorisë së përgjithshme të shprehet, prokuroria fshihet pas ministrisë së Drejtësisë dhe nuk konkludon. Qershor 2025 del se Irena Gjoka jo vetëm është dëbuar dy herë nga Greqia dhe ka lëshuar prokurorë; ka dënim penal të formës së prerë në Greqi; ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit pasi nuk i ka deklaruar këto. Ka gënjyer në veting”, tha Berisha.

Berisha tha se të gjitha këto janë akte që kryhen brenda sistemit të drejtësisë dhe dëshmojnë moralin e kalbur të këtij sistemi.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në të cilën ish-kryeministri Sali Berisha, akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkaq, edhe SPAK bëri të ditur sot se Berisha u njoftua gjatë paraqitjes së tij në SPAK për dosjen “Partizani”.

SPAK njoftoi zyrtarisht se “sot gjatë zbatimit të masës “detyrim paraqitje” në Prokurorinë e Posaçme, Sali Berisha është njohur dhe ka nënshkruar urdhër-thirrjen lidhur me procedimin penal për 21 janarin, përmes të cilës, i kërkohet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, në datën dhe orën e caktuar”.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›