E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca e Kryetarëve, mosdakordësi mbi kërkesën e PD-së për mocion me debat për minimumin jetik

TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi mbi kërkesën e Partisë Demokratike për zhvillimin e mocionit me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik.

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve u mor në shqyrtim kërkesa e një grupi deputetësh të grupit parlamentar të PD-së, të cilët kërkonin zhvillimin e mocionit me debat mbi mungesën e caktimit të minimumit jetik si dhe hapat konkretë që janë ndërmarrë për miratimin e minimumit jetik në Shqipëri.

Për sa i përket kësaj kërkese, palët nuk patën mirëkuptim për zhvillimin e saj dhe çështjet i kaluan seancës plenare.

Përpara se të niste rendi i ditës, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi informoi Konferencën e Kryetarëve për depozitimin e ligjeve financiare, pjesë e buxhetit të shtetit, e cila do të bëhet pjesë dhe do të diskutohet me buxhetin e shtetit.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj reagoi pas përjashtimit të kreut të PD-së Sali Berisha nga punimet e Kuvendit, ndërsa e cilësoi shmangie të debatit.

“Keni krijuar një rast të paprecedent. Njeriu flet jashtë dhe ju e përjashtoni brenda. Njeriu flet në mëngjes dhe Toni Gogu nxehet në darkë. Ju kërkoni t’i shmangeni debatit. Ju keni frikë nga fjala e Sali Berishës dhe nga të vërtetat që ai thotë! Po e trajtoni Kuvendin si bahçe personale! Edhe një kovaçhane punon mbi rregulla, ndërsa ju si treshe e keni marrë peng! Keni koncepte shërbëtorësh, jo ligjvënësish! PD dhe Sali Berisha janë këtu që liritë dhe e vërteta të mbrohen, dhe ne do t’i mbrojmë”, u shpreh ai.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›