Berisha paraqitet në SPAK: Dumani fsheh dokumentin që konfirmon dënimin e Irena Gjokës në Greqi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur këtë të hënë, më 3 nëntor, në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, në kuadër të masës së sigurimit “detyrim paraqitje”.
Pas daljes nga SPAK, Berisha dha një deklaratë për mediat, ku akuzoi sistemin e drejtësisë dhe gjyqtaren Irena Gjoka, të cilën e cilësoi si “ikonën e kapjes së reformës në drejtësi”.
“Fytyra e reformës në drejtësi dhe e kapjes së saj është Irena Gjoka , një kriminele e dënuar me vendim të formës së prerë nga autoritetet greke, e cila ka fshehur këtë dënim, ndonëse ligji ia ndalon ushtrimin e funksioneve si magjistrate,” deklaroi Berisha.
Berisha pretendoi se si provë të re disponon “vërtetimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Greke, që konfirmon dëbimin e saj nga territori grek për hyrje me vizë të falsifikuar”. Berisha akuzoi gjithashtu prokurorin Altin Dumani për fshehjen e dokumenteve.
“Irena me 5 mbiemra ka fshehur ekspulsin dhe nuk e ka deklaruar sipas ligjit të dekriminalizimit. Prova e re është vërtetimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë greke që vërteton ekspulsin nga territori grek si lapsje e hyrjes së saj në Greqi me vizë të falsifikuar. Ky dokument fshihet nga Altin Troplini. Po të futi ai në hetim parapara duhet të paguash miliona dhe pastaj qetësohet dosja”, tha Berisha.
Sali Berisha është në hetim nga SPAK lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Sipas SPAK, Berisha akuzohet për korrupsion pasiv, pasi ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktet nënligjore për privatizimin e kompleksit, ku përfitues ishte dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
/rtsh.al/