Forcohet legjislacioni social, Komisioni i të Drejtave të Njeriut miraton ligjin për OJF-të dhe shqyrton “barazinë gjinore”

Komisioni i Kuvendit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, nën drejtimin e Kryetares Jorida Tabaku, zhvilloi sot mbledhjen e radhës ku shqyrtoi dhe mori vendime për dy nisma të rëndësishme ligjore.
Miratohet ligji i ndryshuar “Për OJF-të”
Në pikën e parë të rendit të ditës, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi, “Projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 80/2021 “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse””.
Nisma ligjore u prezantua nga Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, dhe u relatua nga deputetja Kiduina Zaka. Miratimi i projektligjit synon përmirësimin e kuadrit ligjor për regjistrimin dhe funksionimin e organizatave jofitimprurëse (OJF).
Projektligji “Për barazinë gjinore”
Pika e dytë solli në vëmendje Projektligjin e rëndësishëm “Për barazinë gjinore”. I ftuar për prezantim ishte Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Denada Seferi, e cila theksoi rëndësinë e kësaj nisme.
Seferi u shpreh se projektligji ka për qëllim:
Garantimin e të drejtave për gratë dhe burrat.
Mbrojtjen nga diskriminimi në të gjitha format.
Përmirësimin e masave dhe mekanizmave për promovimin e barazisë gjinore.
Ajo theksoi se projekti është rezultat i një pune të thelluar, i konsultuar gjerësisht me organizatat e shoqërisë civile dhe është harmonizuar me direktivat e Bashkimit Evropian.
“Qëllim kryesor është sigurimi i të drejtës së çdo individi dhe për mbrojtjen nga diskriminimi. Kemi harmonizuar projektligjin me direktivat e Bashkimit Europian.”, tha Seferi.
Projektligji u relatua nga deputetja Iris Luarasi. Pas diskutimeve të anëtarëve, Komisioni vendosi që votimi i projektligjit “Për barazinë gjinore” të bëhet në mbledhjen e radhës.
/rtsh.al/