Berisha paraqitet në SPAK, akuza ndaj Altin Dumanit

Kryedemokrati Sali Berisha ka zbuluar pas paraqitjes së përjavshme në Prokurorinë e Posaçme për “detyrimin e paraqitjes”, letrën që i ka lënë kreut të SPAK, Altin Dumani.
Berisha e akuzon sërish Dumanin se po e mbyll mandatin me faqe të zezë dhe me pasuri të fshehura.
“Shënimi që i lash armikut të egër të Pluralizmit politik, Altin Dumani me kujtesën se për veprat e tijtë rënda penale drejtësia një ditë do të thotë fjalën e saj.
Dumani e mbyll me faqe të zezë, me pasuri të fshehura, kam prova të plota. Jam ish-president dhe ish-kryeministër. Asnjë rrogëtar i këtij shteti përfshi presidentin dhe kryeministrin s’mund të bëhet me 4 apartamente me rrogën e shtetit.
Ky deklaron se jam me qira te vjehrri. A e kuptoni ju çfarë mashtruesi është.
Po të thoshte se vjehrri i ka bërë dhuratë vajzës së vetë një apartament do e pranoja. Por apartamenti është ndërtuar, ky është aksioner aty dhe thotë jam me qira të vjehrri”, deklaroi Berisha.
Ky i fundit u bëri thirrje qytetarëve që më 22 dhjetor, të protestojnë së bashku me demokratët kundër qeverisë.
“Qytetarët shqiptarë më 22 dhjetor do mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Edi Ramës për të mos lejuar hetimin e parave që ka vjedhur me Belinda Blalukun”, tha Berisha.