E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për masën e SPAK ndaj Hysenit: Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës

TIRANË, 22 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi sot lidhur me masën e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se Hyseni ka vepruar në kundërshtim me detyrën dhe ligjin teksa shtoi se ajo ka bashkëpunuar me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

“Në histori keni lexuar, keni dëgjuar që shefat e shërbimeve të kenë punuar në kundërshtim me ligjet për diktatorë, për agjenci të tjera, por kjo është hera e parë që dëgjoni se shefja e shërbimit në një vend ishte në funksion dhe mbështetje të krimit”, tha ai.

Sipas tij, prokuroria ka lëshuar urdhër arresti për Vlora Hysenin, duke e konsideruar atë bashkëpunëtore në krim.

“Sot prokuroria ka lëshuar urdhërarrest për Vlora Hysenin, shefen e Shërbimit Informativ Kombëtar si bashkëpunëtore në krim, si njeri që ka shkelur betimin, ligjin dhe sekretet e Shërbimit ua ka dhënë kriminelëve”, tha Berisha.

Ai e cilësoi këtë si një shkelje të rëndë të detyrës.

“Nuk ka nivel më të ulët tradhtie ndaj detyrës, ndaj ligjit se ky”, tha Berisha.

Gjithashtu, Berisha tha në deklaratën për mediet se: “për Vlora Hysenin, e cila thuhet se është me shërbim jashtë vendit, në rast se ajo është në shoqërim të Edi Ramës, u bëj thirrje FBI-së dhe policisë së SHBA ta arrestojnë jo vetëm si një kriminele ordinere, anëtare të një organizate kriminale më të rrezikshme në Evropë, por ta arrestojë edhe si një person, e cila me grupin e vet, si anëtare grupi, ka përbërë një kërcënim real të vërtetë për aleancën e Atlantikut të Veriut”.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›