Berisha pret Këshillin Koordinues të Diasporës: Shqipëria në krizë ekzistenciale prej shpopullimit

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti sot në takim një përfaqësi të zgjeruar të Këshillit Koordinues të Diasporës, të përbërë nga Lazim Destani (kryetar i KKD-së), Anila Smørgrav (nënkryetare), Emina Cunmulaj, Drita Gjongecaj, Ira Londo, Mirela Mezani, Brikena Muharremi dhe Rosario Peta.
Përfaqësuesit e KKD thanë se një kërkesë e tyre për opozitën dhe qeverinë është që në zgjedhjet e radhës diaspora të jetë e përfaqësuar me kandidatë të saj në një zonë elektorale.
Kryetari i opozitës tha se, historia e diasporës është historia e shqiptarëve të suksesshëm dhe posaçërisht e vajzave dhe grave.
Pas Kadaresë dhe Shën Terezës, vajzat shqiptare në botë janë më të famshmet dhe ne krenohemi me to, theksoi Berisha.
“Një tërësi kombëtare është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Shqipëria është në rrezik të madh ekzistencial. Në periudhën 2015–2024, sipas Eurostat, 1.099 milion shqiptarë kanë emigruar dhe kjo vetëm në zonën Shengen”, shtoi ai.
“Nëse vazhdohet kështu, në 5 dekada Shqipëria rrezikon të mos ekzistojë më”, tha Berisha.
Duke folur për ekonominë, Berisha u shpreh se, “ka qenë narkotrafiku që ka çuar në krijimin e ‘superlekut’, gjë që ka dobësuar euron dhe dollarin, duke u sjellë problem deri në falimentimin e eksportuesve”.
1 nga 5/gj.m/j.p/