Kuvendi miraton 4 projektligje dhe marrëveshje

TIRANË, 16 prill /ATSH/ Kuvendi ka miratuar me shumicë votash të gjitha pikat e rendit të ditës në seancën e sotme plenare.
Kuvendi miratoi projektligjin për ratifikimin e protokollit shtesë nr. 7 të CEFTA-s, që lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kuadër të kësaj marrëveshjeje tregtare, me 87 vota pro.
Po ashtu, u miratua me 74 vota pro marrëveshja e financimit ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit pas tërmetit të vitit 2019.
Me 88 vota pro u miratua marrëveshja e bashkëpunimit teknik me qeverinë gjermane për projektin “Green Vjosa”, që synon zhvillim të gjelbër dhe të qëndrueshëm në zonën e Parkut Kombëtar të Vjosës.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi me 88 vota pro aderimin e Shqipërisë në marrëveshjen e OKB-së për ruajtjen dhe menaxhimin e rezervave të peshkut që lëvizin përtej kufijve dhe të llojeve shumë migratore në det.
Kuvendi gjithashtu zgjodhi me 73 vota pro kryetarin e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba.
/gj.m/j.p/