E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret përfaqësues të IRI dhe OSBE-së

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot në një takim, në selinë e PD-së, këshilltaren për Komunikimin Strategjik dhe Politikën e Jashtme të ish-presidentit amerikan George W. Bush, njëkohësisht dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të Partisë Republikane, Mary Catherine Andrews, drejtorin rajonal të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), Paul Prososki, si dhe nëndrejtoreshën e IRI për Ballkanin Perëndimor, Biljana Ljubic.

Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit mes Partisë Demokratike dhe Institutit Ndërkombëtar Republikan, me fokus forcimin e kapaciteteve organizative dhe politike të PD-së.

Gjatë bisedës u diskutua mbi mbështetjen që IRI po i ofron Partisë Demokratike në fusha si organizimi i brendshëm i partisë, angazhimi i anëtarësisë, komunikimi me publikun, si dhe strategjitë moderne të marketingut politik dhe komunikimit elektoral.

Po ashtu, në fokus ishte forcimi i mëtejshëm i komunikimit politik, përshtatja me zhvillimet ndërkombëtare dhe ndërtimi i një narrative të qartë dhe të besueshme për qytetarët shqiptarë.

Andrews zhvilloi gjithashtu një diskutim me drejtues dhe deputetë të Partisë Demokratike lidhur me strategjinë e komunikimit të PD-së në politikën e jashtme, marrëdhëniet me partnerët strategjikë dhe zhvillimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me fokus te administrata e presidentit Donald Trump.

Bashkëbisedimi shërbeu për shkëmbim eksperiencash dhe idesh mbi sfidat aktuale politike, rëndësinë e komunikimit efektiv me publikun dhe forcimin e rolit të Partisë Demokratike si alternativë moderne dhe pro perëndimore.

Ndërkaq, Berisha zhvilloi edhe një takim me nënkryetarin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe deputet i Italisë, Eugenio Zoffili.

Në takim u diskutua mbi zhvillimet politike në rajon, forcimin e bashkëpunimit parlamentar dhe rolin e OSBE-së në mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe proceseve të lira zgjedhore.

Po ashtu u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet forcave politike të qendrës së djathtë në Europë, si dhe nevoja për institucione të forta dhe të pavarura në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në takim morën pjesë edhe Fatmir Mediu, deputet dhe kryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë, si dhe Sention Zotaj, nënkryetar i Partisë Republikane të Shqipërisë. /j.p/

1 nga 2

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›