Berisha takon kreun e komunës Tetovë: Nevojë për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti sot në një takim Bilall Kasamin, kryetar i Komunës së Tetovës dhe njëkohësisht kryetar i partisë “VLEN”.
Gjatë takimit, u diskutua mbi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërshqiptar, sfidat aktuale politike në rajon, si dhe mbi rëndësinë e koordinimit më të madh të faktorit politik shqiptar në funksion të interesave kombëtare dhe të ardhmes sonë të përbashkët europiane.
Berisha informoi se temë e takimit ishte edhe perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian, zhvillimet politike në rajon dhe domosdoshmërinë që shqiptarët të kenë një zë të fortë, të bashkuar dhe vizionar në proceset që lidhen me të ardhmen e rajonit dhe të kombit tonë.
“U dakordësuam të vazhdojmë komunikimin dhe bashkëpunimin me synimin për të forcuar më tej marrëdhëniet politike dhe institucionale mes faktorëve shqiptarë në rajon, në shërbim të stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit europian”, bëri të ditur Berisha.
/m.m/j.p/