Berisha pretendon për kontroll me kamera të votuesve në Krujë: Provë që 11 maji ishte farsë

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka pretenduar se votuesit në Krujë janë monitoruar me kamera, në ditën e zgjedhjeve më 11 maj. Kryedemokrati ka publikuar disa video, sipas tij nga një seri qendrash të Bashkisë së Krujës, ku shihen njerëz duke votuar në dhomat e fshehta.
Berisha vijon t’i konsiderojë “farsë elektorale” zgjedhjet e përgjithshme, teksa akuzon kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, se po amniston krimet elektorale.
“Siç e shihni, këto pamje faktojnë në mënyrën më të pakundërshtueshme se, ky proces është farsë, farsë dhe vetëm farsë. Se ky proces nuk ka asgjë të përbashkët me fshehtësinë e votës, por është fund e krye një proces i kontrollit dhe vullnetit të qytetarëve. Kjo farsë elektorale, e organizuar nga partia shtet e krimit, ka për mburojë kryesore Altin Troplinin, i cili me amnistimin e krimit elektoral, duke filluar nga dosjet 184 dhe 338, faktoi se është një shërbëtor i turpshëm i krimit kushtetues dhe krimit elektoral, i Edi Ramës. Faktoi se është një mburojë kriminale e farsës elektorale. Me amnistimin e krimit elektoral, Altin Troplini, de facto, firmos licencat e një krimi edhe më të madhe elektoral në zgjedhje të tjera”, tha Berisha.
Ai theksoi edhe njëherë se partia që ai drejton nuk do ta njohë rezultatin e këtyre zgjedhjeve.
“Pra, për ta përmbledhur. Na rast se, kryekrimineli i farsës elektorale është Edi Rama, ndihmësi më kryesor i tij dhe lejtnanti kryesor i tij është Altin Troplini. PD nuk do t’i njohë kurrë këto zgjedhje. PD fton shqiptarët, të gjithë ata të cilët besojnë se ky komb duhet të votojë me dinjitet dhe duhet të gëzojë të drejtën e votës së fshehtë dhe të lirë, kudo që janë në Shqipëri, diasporë dhe në çdo vend, të qëndrojnë të pamposhtur gjersa qytetarët shqiptarët të votojnë të lirë”, u shpreh Berisha.
PD-ja, e cila garoi si pjesë e koalicionit Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, mori vetëm 50 mandate në zgjedhjet e 11 majit. Ndërkohë, Partia Socialiste mundi të marrë 83 mandate. PD-ja ka kontestuar rezultatin, duke akuzuar socialistët për deformim të votës së qytetarëve.
/rtsh.al/