Berisha reagon për vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot pas vrasjes së 20-vjeçarit portugez në Ksamil një ditë më parë.
Berisha tha se qeveria ka lejuar kriminalizimin e industrisë turistike në Sarandë dhe jug të vendit.
Kreu i PD-së tha se në rastin konkret kanë pasur përgjegjësi edhe punonjës të sigurisë, të cilët, sipas tij, nuk e parandaluan dhe e fshehën krimin për disa orë.
“Vrasja e turistit portugez ka edhe një karakter konkret shtetëror. Bashkëpunëtorë ishin të paktën 3 punonjës me uniformë. Kjo dëshmon se cila është shkalla e lartë e inkriminimit të rojeve të sigurisë në këto lokale. Ata në vend se të parandalonin krimin, e fshehën për orë të tëra krimin, në mos, hetimi do tregojë, ndoshta edhe morën pjesë në masakrimin e 20-vjeçarit portugez”, tha Berisha.
Sipas tij, institucionet e sigurisë kanë dështuar të parandalojnë krimin.
Berisha tha se qeveria ka lejuar funksionimin e lokaleve të lidhura me persona me precedentë kriminalë, duke paralajmëruar se kjo situatë dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Turizmi, siç tregon ky rast dhe raste të tjera, është kryesisht në duart e krimit dhe antiligjit”, u shpreh Berisha.
/m.q/j.p/