E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha refuzon të paraqitet në SPAK: Është shkelur Kushtetuta

Ish- kryeministri Sali Berisha nuk i është bindur urdhërit të Gjykatës së Posaçme për tu paraqitur në policinë gjyqësore.

Sipas vendimit, sot në orën  10:00  ai duhej të shkonte në prokurorinë e posaçme, mirëpo vetë Berisha e kishte paralajmëruar më herët se nuk do të paraqitej. Kjo pasi ai e konsideron vendimin e gjykatës, shkelje flagrante të kushtetutës, deklaratë të cilën e bëri nga Kryesia e Kuvendit.

SALI BERISHA
ISH- KRYEMINISTËR

 

Jam i gatshëm të shkoj në çdo kohë në SPAK për t’u përgjigjur çdo pyetje. Nuk pranoj kurrë sanksionet antikushtetuese të Edi Ramës dhe bandës së tij. Çdo qytetar duhet ta dijë, se unë sa herë jam thirrur në prokurori, jam paraqitur gjatë jetës sime. Nuk kam refuzuar kurrë. Por unë, jo në mbrojtje time, por në mbrojtje të të drejtave më elementare të çdo qytetari, nuk mund të pranoj që Edi Rama me një grusht banditësh, që funksionojnë ose si grup i strukturuar kriminal, ose në forma të tjera në organet e drejtësisë, të shkelë Kushtetutën. Ai vendim duhet të shkojë në parlament, se aty e kam qendrën e punësimit se në parti politike nuk vjen dot. Por atje nuk e dërgojnë dot se ai vendim është shkelje flagrante e Kushtetutës.

Në bazë të ligjit, prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai iu lind e drejta për një masë shtrënguese, por për këtë, ata duhet t’i drejtohen kuvendit pasi Berisha mbrohet nga imuniteti i deputetit.

Megjithatë, të pyetur nga vizion plus prokurorët nuk kanë dhënë një përgjigje nëse do t’i kërkojnë apo jo autorizim kuvendit shqiptar për një masë të dytë sigurie.

Ndryshe, nga ish- kryeministri Berisha, ndërtuesi Fatmir Bektashi është paraqitur sot në SPAK, por pas daljes nga struktura e posaçme refuzoi t’u përgjigjet mediave.

Në bashkëpunim, me ndërtuesin e ish- kompleksit sportiv Partizani dhe Jamarbër Malltezin, SPAK e akuzon ish kryeministrin për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë vendorë, një vepër që rrezikon nga 4 deri në 12 vjet burg.

Sipas organit të akuzës ai favorizoi dhëndrin e tij përmes nxjerrjes së disa vendimeve dhe akteve nënligjore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›