Berisha shpall Listën e Fitores
Është miratuar me unanimitet në kryesinë e PD-së ekipi i 140 kandidatëve që do konkurrojë në zgjedhjet e 23 qershorit. Ekipi i mazhorancës ka reflektuar sinergjinë, nëpërmjet përfshirjes në vendet fituese të kryetarëve të partive aleate, çka ka rritur edhe shanset për kapitalizmin e votave në një numër sa më të madh mandatesh. Në listat fituese, edhe mjaft personalitete të shoqërisë civile e jetës publike
Berisha fshikullon spekulimet mediatike: “Kontribuan në proces me listat e tyre personale”
Kryeministri Sali Berisha në orët e vona të mbrëmjes deklaroi se listat e kandidatëve të deputetëve janë të plota dhe gati për KQZ. Sipas tij, lista e PD-së, është lista e shkëlqyer e fitores. Verdikti u miratua pas një mbledhjeje kryesie të mbrëmjes së djeshme, çka ka konfirmuar edhe një rinovim të grupit parlamentar si dhe një hapje ndaj shoqërisë civile, personaliteteve të spikatura të profesioneve si dhe eksponentëve të rëndësishëm të politikës së këtyre 20 viteve të fundit. “Kjo është listë fitoreje, listë e shkëlqyer fitoreje. Ju keni qarkulluar gjatë gjithë këtyre ditëve emra dhe kjo është e drejta juaj. E vërteta është se lista shumë shpejt dorëzohet dhe keni gabuar në shumë raste në parashikimet tuaja, por kjo është çështja juaj”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha, kreu i PD-së, në fillim të deklaratës së tij për mediat.
I pyetur rreth listave të PS, Berisha tha, se, “Nuk kam asnjë koment të vetëm, se kam qenë i zhytur në një punë intensive të selisë, mos harroni se ne kemi aleatët tanë të vendosur sipas pozicioneve dhe sa i përket palës tjetër, komenti më i mirë është ‘no coment’”.
Kreu i qeverisë nuk mohoi as përfshirjen e Kastriot Islamit, përkundrazi vlerësoi maksimalisht figurën e ish-deputetit socialist. “Absolutisht e konsideroj një meritim të tij, sepse ai u bë një nga zërat më kredibël, më të besueshëm në mbrojtje të interesit publik për të cilin e përjashtoi dhe kreu i tij. Shumë normal është përfshirja e tij në listat tona”.
Përveç Islamit, në listat e PD të qarkut Tiranë përfshihet edhe deputeti Asllan Dogjani, ndërkohë që deputeti Gjovalin Kadeli është rreshtuar në listat e qarkut të Lezhës. Në krye të qarqeve konkurrojnë personalitete të spikatura të jetës së Partisë Demokratike. Listën e Shkodrës e kryeson kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, atë të Lezhës e drejton Aldo Bumçi, listën e Qarkut të Kukësit, ministri Flamur Noka, atë të Durrësit Eduard Halimi, atë të Elbasanit, ministri Arben Imami. Në krye të qarkut të Korçës për listën e Partisë Demokratike është ministri Ritvan Bode, në Gjirokastër konkurrojnë ministrat Ruli e Ksera, në Berat ministri Genc Pollo, kurse në krye të qarkut të Vlorës është nënkryetari i PD-së Astrit Patozi. Në listat e PD-së në Shkodër është përfshirë kryetari i PDK-së Nard Ndoka, në listën e Tiranës, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, në Fier konkurron në listën e PD-së, Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së, në Elbasan, kryetari i PAA-së, Lufter Xhuveli, në Dibër, kreu i PLL-së, Ekerem Spahia, ndërkohë që në listën e PD-së të qarkut të Korçës është kreu i PR-së, Fatmir Mediu. Lista e kandidatëve të PD-së karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe një sinergji që kontraston shumë me frymën ndarëse, protestat dhe kandidimet e pavarura që shoqëruan shpalljen e listës nga ana e së majtës, çka shtoi edhe më shumë dëshpërimin e komentatorëve televizivë të së majtës, gjatë emisioneve të mbrëmshme.