E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja në të majtë - Fatos Nano dhe Arben Malaj, përballë Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës

07-05-2013 / Gazeta 55

Arben Malaj paralajmëron kandidimin si i pavarur, në Qarkun e Vlorës
Fatos Nano: “Ndërpres çdo armëpushim me PS dhe familjen socialiste. Arben Malaj më socialist se unë, kurse unë dhe Arben Malaj, më socialistë se Koço Kokëdhima”

PS-ja shpalli mbrëmë listat e kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Nga lista, por për më tepër nga deklarata e post-shpalljes së listës, pritshmëria është që përpos një beteje mazhorancë-opozitë, në zgjedhjet e qershorit të kemi më tepër një betejë të Fatos Nanos dhe Arben Malajt përballë të cilëve qendrojnë Edi Rama dhe Koço Kokëdhima.
Paralajmërimin e bëri mbrëmë Fatos Nano, i cili ndërsa u rreshtua përkrah Arben Malajt, në zgjedhjen e tij, për të kandiduar si i pavarur në Qarkun e Vlorës, bëri të ditur gjithashtu se, “prishte çdo armëpushim me PS dhe familjen socialiste”.
Reagimi, për më tepër paralajmërimi i Fatos Nanos, erdhi pas lënies së Arben Malajt jashtë listës së PS për deputete për zgjedhjet e 23 qershorit dhe, bërjes së ditur prej këtij të fundit, të faktit të kandidimit si deputet i pavarur në Qarkun e Vlorës.
Sipas deputetit Arben Malaj, vendimi që e la jashtë listës ishte tërësisht individual i Edi Ramës, ndërsa ka vlerësuar ata që e kanë votuar për 16 vite.
“Largimi nga PS, jo fundi i karrierës sime, do të kandidoj si deputet i pavarur në Vlorë. PS dështon për të mundur qeverinë Berisha. Kam këmbëngulur gjithmonë të mos ndryshohej kushtetuta e vendit. Kam kërkuar për të votuar 3 ligjet e integrimit të vendit”.
Sipas Arben Malajt, shumë nga ata që Edi Rama i promovon me parafabrikat, që nuk kanë asnjë angazhim dhe kontribut, por thjeshtë që janë të nënshkruar kishin kohë që dilnin garant se do ta zhduknin atë nga politika.
“Neodiktaturat janë bërë të rrezikshme për demokracinë në vend”, tha Malaj, i cili paralajmëroi një konferencë për shtyp paraditen e sotme.
I menjëhershëm ka qenë reagimi dhe mbështetja e ish-kreut të PS-së Fatos Nanos, për Arben Malajn.
Në një prononcim në TV “Neës 24” në emisionin e Artur Zhejit “360 gradë”, Nano tha se ka pritur me maturi që PS të bëjë detyrën e saj opozitare dhe se nuk kam ndërhyrë në fushatë.
“Kam qenë i bindur se vendi ka nevojë për rotacion dhe ndryshim të madh në axhendën politike. Largimi me dhunë i profesionistëve dhe politikanëve jashtëzakonisht përfaqësues nga listat e zgjedhësve është një filament i djegur dhe këtu do ndërpres çdo armëpushim me PS dhe familjen socialiste”, tha Nano.
Ai shtoi se, “Arben Malaj është më socialist se unë dhe unë me Arben Malajn jemi më socialist se Koço Kokëdhima. Unë do jem në krye të fushatës së Malajt”. 
Fatos Nano shtoi se e ka detyruar vendimi i fundit i Ramës që e detyron të ndërmarrë këtë nismë.
Ai u shpreh më tej se, kuzhina e Ramës duhet t’i kishte bërë mirë llogaritë. “Unë besoj se ajo që do të ndodhë është krijimi i një lëvizje të fuqishme që do balancojë konfliktim absurd që po bëjnë palët me njëra-tjetrën me socialistët. Do vijoj angazhimet e mia në dobi të një komuniteti politik. PS mbart vlera prej 22 vjetësh në Shqipëri dhe filamenti që përfaqëson Arben Malaj nuk mund të lejohet të digjet. Jam i detyruar të pushoj armëpushimin dhe rreshtohem me Arben Malajn në mbrojtje të filamentit të majtë”, përfundoi Nano.
Po ashtu jashtë listës së PS-së është lënë edhe një tjetër figurë e njohur e PS-së, Arben Isaraj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›