Berisha si Trump: Sot dorëzojmë ligjin që njeh vetëm dy gjini, dënohet kush flet për Prindin 1 dhe Prindin 2

Përtej betejës zgjedhore dhe luftës kundër korrupsionit, PD do të vazhdojë betejën në parlament edhe në këto pak javë që kanë mbetur para zgjedhjeve.
Berisha lajmëroi se sot PD do të çojë në parlament një ligj që sanksionon se në Shqipëri njihen vetëm 2 gjini.
“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Në mënyrë që t’i japim fund çdo lloj tentative dhe përpjekje. Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione”, deklaroi Sali Berisha.
Mesa duket vendimet e firmosura ditët e fundit nga Donald Trump në SHBA po bëhen pjesë e premtimeve edhe të Sali Berishës në Shqipëri.
Njësoj si Presidenti amerikan, kryedemokrati tha se do të sanksionojë me ligj njohjen e vetëm dy gjinive, ndonëse legjislacioni shqiptar në fuqi përcakton të njëjtën gjë.
Këto premtime janë pjesë e një fushate që Berisha thotë se do të ndërmarrë me synimin për të zhbërë politikat e majta që sipas tij janë nxitur nga Soros.