E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha sot në Bruksel, nesër dorëzon pyetësorin

TIRANE-  Kryeministri Berisha do të niset sot për një vizitë dyditore në Bruksel për t'i dorëzuar neser përgjigjet voluminoze të Pyetësorit që plotësoi Shqipëria, Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule.

Zoti Berisha mblodhi dje Këshillin e Ministrave për të prezantuar dosjen voluminoze me 3854 faqe, pak orë para se të udhëtonte drejt Brukselit.

Përgjigjet e Pyetësorit të Komisionit Europian përbëjnë bazën për vlerësimin e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Kryeministri u shpreh dje se pas leximit që do t'i bëhet dokumentit, Shqipëria do marrë vlerësimin e merituar.

Sipas axhendës së publikuar në faqen e kryeministrisë neser, pas dorëzimit të pyetësorit Berisha do të zhvillojë takim me komisionerin europian Fule dhe më pas një konferencë për shtyp të përbashkët.

Gjithashtu kryeministri, në ditën e parë të vizitës në Bruksel do të jetë relator në konferencën "Shqipëria drejt Bashkimit Evropian, një rrugë mbi meritën", organizuar posaçërisht për kryeministrin e Shqipërisë nga Fondacioni "Robert Schuman", në të cilën do të marrë pjesë edhe zoti Joseph Daul, president i grupit parlamentar të Partisë Popullore Evropiane dhe mjaft përfaqësues të Parlamentit Evropian.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, kryeministri Berisha do të takohet me Presidentin e Këshillit Evropian, zotin Herman Van Rompuy; me presidentin e Komisionit Evropian, zotin Jose Manuel Barroso, si dhe do të zhvillojë një takim e më pas një konferencë për shtyp me Presidentin e Parlamentit Europian, zotin Jerzy Buzek.

Pyetësori që KE-ja i dorëzoi Shqipërisë është një praktikë normale që ky organizëm i dërgon çdo vendi që aplikon për statusin e vendit kandidat për në BE. Dokumenti iu dorëzua qeverisë shqiptare më 16 dhjetor 2009, nga ambasadori i Delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan, një muaj pas vendimit të 27 vendeve të BE-së për marrjen në shqyrtim të kërkesës së palës shqiptare.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›