E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha takim me deputeten italiane Erica Mazzetti: Me rëndësi, integrimi evropian i Shqipërisë

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka pritur sot në një takim në selinë blu, deputeten italiane të Forza Italia, Erica Mazzetti. Berisha u shpreh se në fokus të bisedës me deputeten italiane ishte bashkëpunimi i gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Me zonjën Mazzetti kujtuam rëndësinë e projektit TAP në garantimin e sovranitetit energjetik të Italisë dhe të rolit që qeveria e djathtë e viteve 2005-2013 ka pasur në mbylljen me sukses të kësaj nisme strategjike për të dy vendet.

Kriza energjetike që po kalon mbarë kontinenti në vijim të konfliktit në Ukrainë tregon qartazi që zgjedhja jonë për të mbështetur gazin e konsorciumit Shah Deniz, në vend të atij rus, ishte vendimi më i duhur. Gjatë takimit shkëmbyem gjithashtu mendimin mbi rëndësinë që ka integrimi evropian për Shqipërinë dhe rolin tejet mbështetës që Italia dhe Forza Italia kanë luajtur ndër vite, në veçanti nën drejtimin e kryeministrit Berluskoni. Në këtë plan, lufta kundra krimit të organizuar shqiptar, rrezik real për Shqipërinë, por edhe Italinë dhe rajonin mbeten prioritete të përbashkëta”, u shpreh Berisha.

Lideri demokrat, theksoi se, “Partia Demokratike do të jetësojë një program qeverisës tejet ambicioz, si kurrë më parë, ku kryefjala do të jetë ekonomia, rritja e atraktivitetit për bizneset e huaja e ato italiane, mbështetja e tregtisë me jashtë dhe të një dialogu real me çdo biznes që krijon vende pune e rrit mirëqenien. Bashkëpunimi mes dy forcave tona politike aleate mbetet një përparësi madhore për PD-në. PD mbetet gjithmonë tejet vlerësuese ndaj lidhjes unike dhe historike që bashkon dy forcat tona politike dhe dy kombet tona, duke kujtuar se interesat kombëtare të bashkëpunimit Itali-Shqipëri shkojnë përtej axhendave politike të çastit dhe se do të bëjë gjithçka për ta nxjerrë vendin nga rrëshqitja në të vetmen narko-diktaturë në kontinentin evropian”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›