E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takim me investitoret e huaj

“Investimet e huaja janë po aq të rëndësishme sa ajri për vendin tonë. Investimet e huaja do të thonë punësim dhe ju siguroj se qëllimi më madhor i qeverisë është punësimi.”

Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha në një takim me investitorët e huaj në Shqipëri. Ai shtoi se qeveria që drejton po bën gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë.

“Ne po bëjmë gjithçka për të nxitur sipërmarrjen e lirë. Hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë një rrogë nën 30 mijë lekë. Jemi të gatshëm të vendosim në vend standartet dhe praktikat më të mira që ekzistojnë. Po studiojmë praktika nga Zelanda e Re dhe Singapori që t’i instalojmë në Shqipëri”, deklaroi Berisha, i cili theksoi edhe një herë se vendi ynë e ka përballuar me sukses krizën ekonomike që përfshiu Europën.

“Reformat e marra nga qeveria janë faktuar të suksesshme dhe e mbrojtën Shqipërinë në momentet e krizës së thellë europiane. Partnerët tanë ishin në vështirësi serioze, por ekonomia shqiptare vazhdoi rritjen, edhe pse jo një rritje shumë e madhe”, tha kryeministri.

Berisha premtoi se në katër vitet e ardhshme, punësimi dhe ekonomia shqiptare do të njohin rritje: “Kriza në rajon nuk do të jetë afatshkurtër, por Shqipëria dëshmoi imunitet. Në katër vitet e ardhshme duhet t’i japim një shtytje më të madhe punësimit dhe rritjes ekonomike pasi vendi ynë ka potenciale të mëdha energjitike, turistike dhe minerare.”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›