E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha takim me senatorin italian, De Rosa

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha priti në një takim senatorin italian, Raffaele De Rosa, anëtar i Komisionit të Tretë Permanent për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe i Komisionit të Jashtëzakonshëm për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut në Senat, si edhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë, Aniello Iacomino dhe Francesca Marino.

Gjatë takimit Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që Italia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në të gjitha fushat.

Berisha informoi senatorin italian mbi gjendjen dhe realitetin në Shqipëri.

“Theksova se ky realitet tejkalon shumë edhe republikat e realizmit fantastik të Gabriel García Márquez-it. Kështu, Edi Rama, para se të nisej për në Bruksel, dekoroi me pompozitet në Durrës Bardhyl Agasin, babain e ‘Toto Riina shqiptar’, Ergys Agasit, i cili ishte dhjetëra e qindra herë më i fuqishëm sesa Toto Riina i vërtetë”, tha Berisha.

Sipas tij, “Shqipëria është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë”.

“Zhvlerësimi i euros dhe dollarit për shkak të parave të drogës në 10 vite arrin në 32%, kundrejt 17% që është në Meksikë. Kjo ka falimentuar mijëra e mijëra ndërmarrje eksporti. Në 10 vite, sipas Eurostat, vetëm në zonën Shengen kanë emigruar 1.1 milion shqiptarë”, shtoi ai.

Berisha informoi senatorin italian edhe për dekorimin e Jurgen Çyrbes, ish-deputet i PS-së, i dënuar sipas tij, “si bashkëpunëtor i një vrasësi tejet të rrezikshëm dhe për dy vepra të tjera penale”.

“Në Shqipëri, zgjedhjet, sipas të gjitha raporteve ndërkombëtare, zhvillohen në kushtet e partisë-shtet”, theksoi ai.

Berisha u shpreh se takimi me senatorin De Rosa ishte i hapur, ndërsa ai i dorëzoi një dhuratë zyrtare të Senatit të Republikës Italiane që simbolizon miqësi, nderim dhe kujtim ceremonial.

Në takim merrnin pjesë edhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i PDSH-së, Enrin Çeno, si edhe Kryetari i PD-së në Romë dhe Koordinatori për Italinë, Bardhok Doda.

/m.m/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›