E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha takim me të dërguarin e OSBE-së

Kryeministri Berisha priti sot në një takim të dërguarin specialt të kryetarit në detyrë të OSBE-së Konstantin Zhigalov, dhe delegacionin që e shoqëronte. Në këtë takim i Dërguari Special i Kryetarit në Detyrë të OSBE-së shoqërohej nga Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bosch.
Kryeministri Berisha i shprehu mirëseardhjen zotit Konstantin Zhigalov dhe anëtarëve të delegacionit dhe falënderoi për ndihmën dhe mbështetjen që OSBE i ka dhënë Shqipërisë nëpër vite, veçanërisht në proceset e demokratizimit dhe të reformave zgjedhore, procese të cilat kanë qenë një ndihmë e rëndësishme në rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO dhe në BE.
Më pas, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare të fokusuara në plotësimin e kritereve dhe standardeve të kërkuara për realizimin e projekteve më madhore për shqiptarët, integrimin në BE dhe liberalizmin e vizave.Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e arritjeve të standardeve më të larta në procesin zgjedhor, të cilat u konkretizuan në zgjedhjet e qershorit 2009, zgjedhje të certifikuara edhe nga komuniteti ndërkombëtar.
Gjatë takimit, Kryeministri bëri një përshkrim të situatës politike në vend duke vënë theksin tek propozimet për kompromis që mazhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga Prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe KiE, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare.
Zoti Zhigalov i shprehu vlerësimet Kryeministrit Berisha, për arritjet në reformat dhe në zhvillimin e madh të vendit në të gjitha fushat, si dhe e përgëzoi atë për arritjen e qëllimit madhor për Shqipërinë, anëtarësimin në NATO duke uruar sukses edhe në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›