E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha takim në Kombinat: PD do të vendosë minimumin jetik, do të rrisë pagën minimale, do të ulë çmimin e naftës dhe energjisë

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka zhvilluar një takim elektoral në Kombinat, ku deklaroi përpara zgjedhësve se PD do të vendosë minimumin jetik, do të rrisë pagën minimale, si dhe do të ulë çmimin e naftës dhe energjisë.

“Këta, po ti shihni ju, janë bërë një grup njerëzish që nuk kanë ndjenja njerëzore. Njerëzit u duken miza. Këta ngushëllohen me shprehjen ‘nuk vdes kush për bukë në Shqipëri’. Mund ta thotë një zyrtar, një shtetar këtë? Pse mo puna qenka për të vdekur për kafshatë të gojës? E kanë degraduar në këtë shkallë gjendjen. Çfarë do të bëjmë ne 90 ditët e para? Do të vendosim minimumin jetik 200 euro. Nuk do të ketë rrogë nën 500 euro. E ka çdo vend. Pas rrogës minimale, do të kalohet në ditën me pagë minimale. E ka çdo vend dhe ne në atë rrugë do të ecim.”, tha Berisha.

Sipas tij, pensionistët do të kenë kartë konsumatori dhe do u kthehet mbrapsht TVSH.

“Nafta do zbresë në çmimin e Kosovës dhe Maqedonisë, 40% më lirë. Energjia elektrike në 7 lekë, tarifat e ujit do përgjysmohet. Do ketë një frymëmarrje më të mirë ekonomike për njerëzit. Ia kemi dalë të hartojmë një projekt të tillë së pari sepse kemi ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, dy fondacione kryesore në botë të qendrës së djathtë, fondacioni Adenauer i Gjermanisë dhe fondacioni Heritage i SHBA kanë shqyrtuar dhe vlerësuar programin tonë. Kanë bërë sugjerimet e tyre. Por nga ana tjetër ky program në mënyrë të padiskutueshme ka eksperiencën, ka trashëgimi eksperiencën me të cilën ne, siç jeni dëshmitarë, bëmë një ndryshim të madh në qëndrimin e shtetit ndaj qytetarëve. Dhe ky ndryshim u shpreh para së gjithash në dhënien, në rikthimin e parave të taksave qytetarëve shqiptarë. Ky është një parim themelor për ata që qeverisin.”, tha Berisha.

Sipas tij, në qoftë se nga viti 2005 deri në vitin 2013, bazuar në parimin, t’ua kthejmë paratë qytetarëve, nuk ka mësues në Shqipëri që të thotë se në atë periudhë nuk m’u dyfishua rroga; nuk ka mjek, nuk ka infermiere që të dëshmojë se në ato vite, rroga e tij nuk u dyfishua; nuk ka pension të ulët që thotë se pensioni i tij nuk u dyfishua; nuk ka pension të mesëm që të thotë se pensioni i tij nuk u rrit me 60 përqind; nuk ka pension të lartë që të thotë se pensioni i tij nuk u rrit me 40 përqind.

“Pse ndodhën këto? Thjesht, paratë qeveria grumbullonte nga ju, që ishin tuajat, aktin e parë, i kthente tek ju. Në këtë mënyrë, arritëm atë që kurrë ndonjëherë ndoshta nuk kishte ekzistuar. Arritëm të jemi qytetarët më të mirëpaguar të rajonit. Rrogat në Shqipëri ishin më të larta edhe se në Bullgari, edhe në Rumani. Pensionet në Shqipëri ishin më të larta se në këto vende, por edhe në vendet e rajonit. Kjo ishte Shqipëria e vitit 2013. Nuk ndalem aspak as për t’u krenuar, as për t’u lëvduar, por për t’u thënë çdo shqiptari se ka një parim për çdo qeveri, dhe ky parim është, t’ua kthejë shqiptarëve paratë që u merr. Ku jemi sot në vitin 2025? Para 12 vitesh, çdo pensionist në Shqipëri merrte pension më të madh se pensionisti në Mal të Zi, Serbi, Maqedoni e me radhë. Rroga e ulët në Shqipëri ishte më e lartë se në secilin prej këtyre vendeve, përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë. Sot, në qoftë se pensionisti në Shqipëri merr si pension mesatar 170 euro, pensionisti në Mal të Zi merr 450 euro. Po pse? Sepse qeveria çdo vit është e detyruar t’u kthejë paratë qytetarëve. Rroga minimale në Rumani ishte 167 euro. Ishte 180 lej. Sot rroga minimale në Rumani është rreth 800 euro. Pse? Sepse qeveria u kthente paratë qytetarëve. Çfarë ndodhi me ne? Qeveria nuk ua ktheu paratë qytetarëve. Jo vetëm kaq, se kjo është gjysma e të keqes. Gjysma tjetër më e rëndë e të keqes është se këtu çmimet nga viti në vit u rritën. Se këtu buka sot kushton mbi dyfishin e asaj që kushtonte në vitin 2013. Kushtonte 400-500 lekë, kushton 900-1000 lekë. Se mishi sot kushton 1600-1800 lekë, kushtonte 700 lekë. Se domatet kushtonin 100 lekë, kushtojnë 400 lekë. Pra, për të blerë ti qytetar i dashur sot aq sa blije në vitin 2013, të duhen dy herë e më shumë. Dhe rrogat nuk u rritën, pensionet nuk u rritën.”, tha Berisha gjatë takimit.

Sipas tij, për të përballuar këtë rritje, sot çdo pensionist duhej të kishte pensionin 390 euro, në qoftë se qeveria thotë do u indeksojmë.

“Në qoftë se qeveria do të ishte e ndershme t’u indeksonte, pensioni juaj do të ishte 390 euro. Prandaj qeveria e Malit të Zi që i indeksoi, e ka pensionin 450 euro.”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›