Presidenti Begaj: Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemër dhe që kanë nevojë

Presidenti Bajram Begaj uroi të shtunën besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e festës së Pashkës, duke përcjellë me këtë rast një mesazh në të cilin përçohej shpresë, paqe dhe solidaritet.
“Gëzuar Pashkën të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë! Ky kremtim i shpresës dhe i ringjalljes është dëshmia se jeta dhe mirësia triumfojnë mbi vdekjen dhe të keqen, se drita e mund errësirën, se virtytet dhe vlerat mposhtin ligësinë dhe antivlerat,” shkruan Presidenti në urimin e publikuar në rrjetet sociale, mesazh të cilin ai e shoqëron edhe me fotografinë e një shporte festive të përgatitur nga disa zonja të besimit ortodoks, në respekt të traditës.
Begaj, në urimin e tij, u është drejtuar të gjithë besimtarëve ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë, duke u uruar atyre një festë të ndriçuar nga drita dhe e mbushur me bekime familjare.
“Festojeni këtë Pashkë plot dashuri, kujdes e vëmendje ndaj atyre që keni përzemër dhe që kanë nevojë!”, përfundon mesazhi i Presidenti Begaj.
/rtsh.al/