Berisha takime në parlamentin belg: Paraqitëm situatën dramatike në Shqipëri

TIRANË, 19 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një prononcimi për mediet nga Brukseli, deklaroi se në takimet në parlamentin Federal të Belgjikës paraqiti, sipas tij, situatën dramatike në Shqipëri.
Berisha bëri të ditur se ngriti shqetësimet për krimin e organizuar dhe korrupsionin, ndërsa theksoi se opozita ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike si zgjidhje për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Berisha theksoi se, palët ranë dakord të vijojnë komunikimin, ndërsa shprehu bindjen se autoritetet belge mbështesin shtetin ligjor dhe luftën kundër krimit.
“Erdhëm në parlamentin federal dhe u takuam me zëvendëskryetaren e Komisionit të Jashtëm të parlamentit dhe anëtarë të Komisionit të Jashtëm të parlamentit ku paraqitëm gjendjen në Shqipëri, situatën dramatike në të cilën ndodhet dhe krizën që po e gllabëron Shqipërinë me shtylla kryesore përqendrimin e të gjitha pushteteve në dorë të një njeriu dhe shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha u shpreh se është besimplotë se autoritetet belge qëndrojnë fuqishëm për shtetin zgjedhor dhe ndarjen e pushteteve, luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar.
“Unë garantova se PD mbetet e vendosur dhe ka yll polar në programin e saj integrimin e bazuar në meritë. Dhe, kushti i të gjitha kushteve, për mendimin tonë, duhet të jetë respektimi i shtetit ligjor, lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë, lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Berisha.
/m.q/j.p/