E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Bajpasi i Shëngjinit, me rëndësi për ekonominë dhe turizmin në Lezhë

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Bajpasi i Shëngjinit, një aks me rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit në Lezhë pritet të përfundojë verën e vitit të ardhshëm.

Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili ndau pamje nga ky kantier.

“Kantieri i bajpasit të Shëngjinit, një investim madhor i infrastrukturës rrugore, që do të ketë një impakt pozitiv në reduktimin e trafikut përgjatë sezonit veror, por dhe për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe turizmit në Lezhë”, u shpreh kryeministri.

Rama bëri të ditur se “ky segment rrugor, me gjatësi 8.1 km, është financim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe pritet të përfundojë në verën e vitit të ardhshëm”.

Për ndërtimin e segmentit po punohet njëkohësisht në të dy kahet e këtij bajpasi, i cili do të lidhet me rrugën e re Shëngjin–Velipojë.

Orientimi i investimeve publike drejt zonave me përparësi zhvillimin e turizmit dhe destinacioneve turistike për përmirësimin e infrastrukturës bazë në to është në fokus të politikave të qeverisë.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›