Berisha takon Danilo Turk: Të thellojmë bashkëpunimin

Kryeministri Berisha i cili po zhvillon një vizitë në Slloveni është pritur sot nga Presidenti i vendit Danilo Turk. Në takimin u diskutua mbi prioritetet e Kryesisë Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës dhe kontributin që vendi ynë mund të ofrojë në këtë drejtim në shumë aspekte, një ndër të cilat është bashkëpunimi rajonal apo afrimi i pranverës arabe me Këshillin e Europës dhe ndihma që mund tu jepet këtyre vendeve nga përvoja e këtij të fundit.
Gjithashtu në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet e fundit në vend dhe përpjekjet e vazhdueshme për ecjen përpara me shpejtësi me reformat për anëtarësimin në BE. Kryeministri Berisha e njohu presidentin me reformat e rëndësishme në veçanti në fushën e ekonomisë, atë fiskale, modernizimit të vendit, dixhitalizimin dhe thjeshtësimin e procedurave, krijimin e klimës më të favorshme për biznesin, reduktimin e administratës publike, investimet e rëndësishme në infrastrukturë etj, reforma këto që kanë bërë të mundur që Shqipëria në dallim nga trendi Europian të mos bjerë në recesion.
Presidenti i vlerësoi këto arritje si shumë inkurajuese përfshirë edhe realizimin me sukses të reformës zgjedhore dhe shprehu gjithashtu vlerësimin për prioritetet e Kryesisë Shqiptare të Këshillit të Ministrave të KiE në veçanti ato që lidhen me rajonin apo pranverën arabe duke e cilësuar këtë si një kontribut të rëndësishëm që Shqipëria, si një vend multi-religjioz, mund të japë në këtë drejtim. Në këtë kontekst presidenti Danilo Turk vlerësoi traditën e shkëlqyer të tolerancës ndër fetare dhe ndër etnike të shqiptarëve.