Kuvendi shpall vendin vakant për kreun e KQZ-së

Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur sot vendin vakant për Kryetar të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
“Në mbështetje të nenit 181, pika 2, nenit 15 pika 2 dhe nenit 12, pika 2 të ligjit nr.10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit.
Kështu çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme, të parashikuara në nenin 12, pika 2 të Kodit Zgjedhor, mund të paraqitet si kandidat për Kryetar të KQZ-së.
Ja kushtet:
a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç;
b) të jetë me arsim të lartë;
c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:
i) në fushën e së drejtës;
ii) në administratën publike;
iii) në administrimin e zgjedhjeve;
iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike;
ç) të mos jetë i dënuar penalisht;
d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit;
dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit;
e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;
ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.
Sipas Kuvendit, kërkesa duhet të paraqitet e shoqëruar me dokumentacionin përkatës që provon përmbushjen e kritereve ligjore dhe duhet të depozitohet pranë Sekretarisë së Kuvendit të Shqipërisë.