Këshilli Ndërfetar kërkon transparencë për terapinë hormonale të personave transgjinorë në QSUT

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë reagoi pas miratimit të Udhëzuesit të Praktikës Klinike “Për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, duke kërkuar transparencë dhe publikimin e bazës shkencore, juridike dhe etike mbi të cilën është hartuar ky udhëzues.
Në një deklaratë zyrtare, Këshilli Ndërfetar theksoi se çështje të kësaj natyre kërkojnë konsultim të gjerë profesional dhe debat publik, për shkak të ndikimit shoqëror, etik dhe mjekësor.
Sipas deklaratës, institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë publike bazën shkencore dhe mjekësore të udhëzuesit, arsyetimin për miratimin me procedurë të përshpejtuar, bazën juridike të vendimit, si edhe kriteret mbi të cilat është përfshirë kategoria e personave të mitur.
Këshilli Ndërfetar kërkoi gjithashtu sqarime mbi bazën ligjore që autorizon personelin mjekësor për aplikimin e trajtimeve hormonale, duke theksuar se legjislacioni shqiptar nuk parashikon një kuadër të posaçëm për këtë kategori trajtimesh.
Në deklaratë theksohet nevoja për debat kombëtar dhe konsultim multidisiplinar me ekspertë të mjekësisë, bioetikës, psikologjisë dhe të drejtës, ndërsa ritheksohet qëndrimi i komuniteteve fetare mbi identitetin njerëzor dhe rezervat ndaj ndërhyrjeve që synojnë ndryshimin artificial të karakteristikave gjinore biologjike.
“Duke pasur parasysh natyrën komplekse dhe pasojat afatgjata mjekësore, psikologjike dhe sociale të trajtimeve hormonale, Këshilli Ndërfetar vlerëson se është i nevojshëm një debat i gjerë kombëtar dhe konsultim multidisiplinar me ekspertë të mjekësisë, bioetikës, psikologjisë, të drejtës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim garantimin e transparencës, sigurisë juridike dhe besimit publik me përgjegjësi institucionale, gjuhë etike dhe respekt për dinjitetin e çdo personi”, thuhet në deklaratë. /j.p/