E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, telegram ngushëllimi Obamës, për ngjarjen tragjike

Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet Presidentit Obama për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani në shtetin e Misurit.

Në lidhje me këtë çështje, kryeministri Sali Berisha, i drejtohet presidentit amerikan me një telegram ngushëllimi për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin, në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë amerikanë.

Në telegramin e tij të ngushëllimit, Kryeministri Berisha shkruan:

“I dashur zoti President,

Me keqardhje të thellë mësova për ngjarjen tragjike të shkaktuar nga uragani i fuqishëm që goditi qytetin e Joplin në shtetin e Misurit, si pasojë e të cilit humbën jetën më shumë se njëqind qytetarë të vendit tuaj dhe janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Më lejoni që në këtë moment dhimbjeje për familjet e viktimave, për ju, qeverinë dhe kombin mik amerikan t`ju shpreh, edhe në emër të qeverisë shqiptare, ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore, si dhe ndjenjat më të thella të solidaritetit njerëzor të të gjithë qytetarëve të vendit tim. Dëshiroj t`ju siguroj se shqiptarët ndajnë sot me ju, me familjet e viktimave dhe me kombin e madh e mik amerikan hidhërimin për këtë humbje të madhe dhe i bashkohen lutjeve tuaja që shpirtrat e viktimave të gjejnë paqen e amshuar” përfundon telegrami.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›