Berisha thirrje emigrantëve të regjistrohen në platformën e KQZ-së: Ndërhyrje në Kod nëse do të jetë e nevojshme

TIRANË, 13 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje sot qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen në platformën e KQZ-së për zgjedhjet e 11 majit.
Në një konferencë për shtyp Berisha foli edhe për mundësinë e ndërhyrjeve në kod që të sigurohet e drejta kushtetuese e votës së diasporës.
“Nuk duhet të ketë ndërhyrje në ligjin zgjedhor 6 muaj para zgjedhjeve. Por ka ndodhur një zhvillim i ri, i paqenë, siç është vota e emigrantëve. U bënë ndryshimet ligjore në emër të këtij procesi, por në qoftë se për shkak të problematikave që dalin, me qëllim që të sigurohet e drejta kushtetuese e tyre sa më mirë, përsëri vetëm për këtë mund të bëhen ndërhyrje në kod, të cilat të lehtësojnë dhe garantojnë këtë proces”, tha Berisha.
“Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë emigrantëve dhe diasporës të aplikojnë në platformën të KQZ-së”, tha Berisha.
Duke folur për platformën e KQZ, Berisha u shpreh se, si platformë ajo parashikon një proces të sigurt dhe të plotë.
“Si platformë e parë, natyrisht nuk mund të them se është e përsosur, ndaj dhe në çdo rast mos humbisni durimin në qoftë se në përpjekjen e parë nuk realizoni regjistrimin, ju siguroj se në përpjekjen e dytë apo të tretë do e realizoni 100 % atë”, tha Berisha.
Por, shtoi ai, “nga ana tjetër ka edhe një platformë të PD, tek e cila cilido që do të informohet për procesin e regjistrimit mund të regjistrojë në këtë platformë dhe ai automatikisht do t’i dërgohet në e-mail apo whatsapp e gjithë praktika që duhet të ndjekë për regjistrimin në KQZ”.
Berisha u shpreh se, pa arsye të forta ligjore, ndërhyrje nuk do bëhen.
“Gjer tani nuk ka një gjë të konkretizuar, por sidoqoftë tani që po provohet platforma, çdo lloj pengese që mund të ketë nevojë për amendim apo përshtatje, ne jemi të gatshëm”, tha ai.
“Është e drejta kushtetuese e 1.5 milionë shqiptarëve, është e paimagjinueshme që t’u themi se për shkak të ligjit nuk do votoni. Jo, do bëjmë gjithçka që ju të votoni”, u shpreh Berisha. /j.p/