E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bora në Pukë, Frroku: Asnjë rrugë e bllokuar, sot dyndje turistësh

TIRANË,13 janar/ATSH/ Moti i keq dhe reshjet e borës kanë “pushtuar” edhe qytetin e Pukës. Dritan Frroku, specialist i turizmit pranë bashkisë së këtij qyteti, tha sot gjatë një interviste televizive, se përtej motit të keq, borës dhe acarit, çdo aks rrugor në Pukë është i kalueshëm.

“Ka borë, ngricë dhe acar, temperaturat janë minus tri gradë, ndërsa gjatë natës shkojnë deri në minus gjashtë gradë. Jemi të mësuar me këto temperatura, pasi dimrat janë shumë të vështirë në Pukë. Situata në fshatra është normale, pasi bashkia ka bërë një punë të mirë duke qenë në terren. Grupi i Emergjencave Civile ka hapur çdo aks, duke bërë që asnjë rrugë të mos jetë e bllokuar”, thotë ai.

Reshjet e borës kanë qenë një tjetër shtysë për turistët e huaj që të zgjedhin Pukën për të kaluar disa ditë.

“Sot ka pasur shumë turistë, sidomos pasi u ndalën pak reshjet e mëdha të borës. Presim të bëjmë edhe Festivalin “Puka në Festë” në datat 17, 18 dhe 19 janar. Pritet diçka madhështore, pasi edhe moti do të jetë shumë i mirë ato ditë, sipas parashikimeve. Atraksionet turistike që mund të vizitohet në Pukë janë të shumta këtë periudhë, sidomos edhe për fakti që asnjë rrugë nuk është e bllokuar. Ndërsa, për çdo të papritur sugjeroj që gjithsesi shoferët t’i kenë makinat të pajisura me zinxhirë”, thotë Frroku.

“Hani i Përparim Laçit, Guest House në Konak, bujtina në Qerret, në zonën e Lajthizës së Vogël, Oda e Kabashit e plot vende ku nuk mungon mikpritja dhe ushqimi i mirë, janë vetëm disa sugjerime për ata që duan të zgjedhin Pukën për të kaluar një fundjavë apo disa ditë ndryshe”, shton specialisti i turizmit pranë kësaj bashkie.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›