E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha thirrje ndërkombëtarëve: Sanksionet ndaj regjimit, të domosdoshme për të shpëtuar shqiptarët

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediet gjatë ditës së sotme, duke iu referua studimit të EUROSTAT-it, tha se zhvlerësimi i euros në raport me lekun është tregues i ndikimit të parave të drogës në ekonominë shqiptare duke theksuar se, euroja në Shqipëri është zhvlerësuar me 33 për qind, më shumë se në çdo vend tjetër të marrë në shqyrtim.

“EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit. Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Gjen se euro në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër, 33%”, tha Berisha.

Berisha tha se, zhvlerësimi i euros lidhet me paratë që futen në Shqipëri nga trafiku i drogës dhe ndërtimi është fusha kryesore e investimeve. Sipas tij, pasojat e zhvlerësimit të euros rëndojnë mbi qytetarët, fermerët dhe sipërmarrësit e ndershëm, ndërsa përfitimet shkojnë te grupet kriminale dhe zyrtarët e lidhur me to.

Kryetari i PD-së u bëri thirrje Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin analiza dhe masa ndaj asaj që e cilësoi si përkeqësim të ekonomisë shqiptare nga ndikimi i narkotrafikut.

“Unë kam një thirrje për tre institucione: Bankën Botërore, Fondin Monetar, të cilët kanë bërë një investim monetar dhe në know-how 35-vjeçar në ekonominë e Shqipërisë, dhe tani që shohin të përmbysur të gjithë ato për çka ata kanë subvencionuar dhe qëndruar, duhet të ngrenë zërin e tyre, të ndihmojnë Shqipërinë për të shpëtuar nga kjo tirani drogë që po shkatërron ekonominë shqiptare. Unë i bëj thirrje Komisionit Evropian, me të cilin Shqipëria ka hapur dhe mbyllur kapituj e kapituj negociatash, të ndalet tek narkoshteti”, tha Berisha.

“U bëj thirrje të gjitha agjencive partnere të vendeve partnere të luftës kundër drogës dhe shpëlarjes së parave: në qoftë se kërkoni rastin më klasik, urdhëroni ku është Shqipëria, në të cilën thyhen qafën dy monedhat më të forta të planetit për shkak të kontejnerëve dhe vagonëve të parave të pista të drogës që hyjnë në ekonominë shqiptare. I bëj thirrje MONEYVAL-it dhe të gjitha agjencive të tjera, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Seksionit Antidrogë, sirenat më të fuqishme të alarmit për një vend kanë rënë prej kohësh, por duhen dëgjuar”, tha ai.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›