Berisha uron: Gëzuar Vitin e Ri 2010!

Kryeministri Sali Berisha u ka uruar shqiptarëve Vitin e Ri 2010. "Uroj sot në emrin tim dhe qeverisë shqiptarë Gëzuar Vitin e Ri 2010!
Le të sjellë ky vit plot gëzime, mirësi, shëndet, suksese dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja dhe të gjithë të dashurit e zemrës tuaj kudo që ndodheni", thuhet ne mesazhin e kruet të qeverisë.
Kryeministri thekson se për kombin shqiptar viti 2009 ishte viti i arritjeve më të mëdha në historinë e udhëtimit tonë shekullor për t'u bashkuar me Evropën dhe perëndimin. "Këtë vit me 4 prill në Samitin e Strasburgut, ne u bëmë anëtarë të Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe politike të të gjitha kohërave, NATO-s. Një nga ëndrrat tona më të bukura u shndërrua në realitet, liria e Shqipërisë dhe shqiptarëve u bë më e sigurt se kurrë", shton Berisha. Sipas Berishës në 28 qershor të vitit 2009, u zhvilluan zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ndërsa në
16 nëntor, 27 qeveritë e vendeve anëtare të BE-së pranuan unanimisht kërkesën tonë për vend anëtar të BE-së.
"Vetëm dy javë më parë ne morëm pyetësorin nga KE, si urimin më të bukur që ky komision iu bëri për festat e fundvitit shqiptarëve", shton kreu i qeverisë.