Presidenti Topi uron Vitin e Ri 2010

Presidenti i Republikës Bamir Topi iu drejtua me një mesazh shqiptarëve, me rastin e natës së ndërrimit të viteve dhe mbërritjes së 2010. "Në këto çaste të ndërrimit të viteve, uroj të gjithë shqiptarët që sot festojnë në gjirin e familjes së tyre, kësaj qelize të shenjtë të shoqërisë sonë, e cila është motiv krenarie, besimi e shprese. Paçi gjithmonë dashuri, lumturi, harmoni e shëndet në jetën tuaj", thuhet në mesazhin e Presidentit. Kreu i shtetit theksoi se sot më shumë se kurrë ndodhet pranë atyre që për arsye të ndryshme gjenden të vetmuar. "Sonte më shumë se kurrë, shpirtërisht, jam pranë atyre që për arsye të ndryshme gjenden të vetmuar. Jam pranë prindërve të moshuar që nuk i kanë fëmijët pranë, duke u uruar që t'i takojnë sa më parë të dashurit e tyre; jam pranë jetimëve dhe fëmijëve të braktisur, duke u premtuar atyre mbështetjen time të plotë, për të gjetur edhe ata një strehë të ngrohtë familjare, jam pranë njerëzve me aftësi të kufizuar dhe familjeve të tyre, me urimin për një vit të ri që t'u lehtësojë vështirësitë e tyre, me impenjimin e të gjithëve", theksoi ai.